BE planifikon emetimin e 80 miliardë eurove për rimëkëmbjen

Komisioni Europian njoftoi sot se do të emetojë rreth 80 miliardë euro bono afatgjata në 2021 për të financuar paketën e tij historike stimuluese e krijuar për të kapërcyer pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19.
Vendet anëtare të BE-së përfunduan të hënën procesin e ratifikimit të vendimit që i autorizon ata të marrin borxh së bashku.
Ky hap do të lejojë Komisionin të marrë hua në tregjet financiare, nga qershori, për të financuar 672 miliardë euro në grante dhe hua për vendet anëtare, si pjesë e planit të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh.
Ekzekutivi i BE-së tha në një deklaratë se do të vazhdojë me “emetimin e rreth 80 miliardë eurove në bono afatgjata në 2021, që do të plotësohen me dhjetëra miliarda bono afatshkurtra”.
“Shuma e saktë do të varet nga nevojat e financimit të Shteteve Anëtare dhe KE do të rishikojë vlerësimin e tij në vjeshtë”, tha ai.
Në total, gjatë disa viteve, KE planifikon të marrë hua në emër të BE-së në tregjet financiare, deri në 750 miliardë euro me çmime të vitit 2018 ose rreth 800 miliardë euro me çmimet aktuale.
Data e emetimit të parë në qershor ende nuk është vendosur./AFP
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




