BE reagon për sulmet ndaj ambasadorit Gonzato: Deklarata të tilla janë të papranueshme!

Politikë | 6 muaj më parë

Bashkimi Evropian ka reaguar zyrtarisht pas sulmeve personale të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, të bëra në Ditën e Evropës.

Një zëdhënës i unionit i cilësoi deklaratat si të papranueshme dhe doli në mbrojtje të diplomatit europian. 

 “Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE-ja dënon fuqimisht sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës kundër Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij,” thuhet në reagimin e zëdhënësit të BE-së. 

Një ditë më parë, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha akuzoi ambasadorin Gonzato se ishte “unifikuar me Edi Ramën” dhe se kishte transmetuar “trillime të pavërteta në Bruksel ndaj opozitës”. 

Pas deklaratave të Berishës, ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri publikuan një reagim të përbashkët, duke shprehur mbështetje për Gonzaton.

“Në Ditën e Evropës, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe riafirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar,” u shprehën ata. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme