Begaj dekreton Edi Ramën si Kryeministër, e mandaton për formimin e qeverisë dhe ngritjen e Ministrit AI, “Diella”

Politikë | 1 vit më parë

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar Edi Ramën si Kryeministër, duke e mandatuar për formimin e qeverisë së re.

Rama mbërriti në Presidencë mesditën e sotme (12 shtator). Me dekretin nr. 331, presidenti Begaj i dha kryeqeveritarit edhe përgjegjësinë për ngritjen e Ministrit të parë Virtual të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (AI), “Diella”.

“Diella” është risi në politikë dhe do të merret me prokurimet publike, për ta bërë procesin e tenderimit “të pakorruptueshëm”, tha një ditë më parë kryeministri Rama gjatë prezantimit të kabinetit të ri.

Me mandatimin e Kryeministrit, Presidenti do të nxjerrë dekretet individuale për secilin nga ministrat. Më pas, pas seancës së votëbesimit në Parlament, në ditët e ardhshme do të zhvillohet ceremonia e betimit të qeverisë.

Qeveria u bë publike një ditë më parë gjatë Asamblesë së PS-së. Përbërja e saj ka pësuar ndryshime të rëndësishme, me disa rikonfirmime, largime nga postet ministrore, si dhe emra të rinj. Për herë të parë në historinë e vendit, Ministria e Brendshme do të drejtohet nga në grua, Albana Koçiu. Ndërkohë, Turizmi dhe Sporti do të bashkohen në një ministri me Kulturën, ndërsa Mjedisi është ndarë si ministri më vete.

Përbërja e qeverisë së re “Rama 4”

  1. Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë – Rikonfirmohet Belinda Balluku
  2. Ministre e Shtetit me Inteligjencë Artificiale, “Diella” për prokurimet publike
  3. Ministria e Brendshme – Albana Koçiu
  4. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Elisa Spiropali
  5. Ministria e Financave – Rikonfimohet Petrit Malaj
  6. Ministria e Mjedisit – Sofjan Jaupaj
  7. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit –  Blendi Gonxhja
  8. Ministria e Arsimit – Mirela Kumbaro
  9. Ministria e Shëndetësisë – Evis Sala
  10. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit – Delina Ibrahimaj
  11. Ministria e Drejtësisë – Besfort Lamallari
  12. Ministria e Mbrojtjes – Rikonfirmohet Pirro Vengu
  13. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Andis Salla
  14. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor – Ervin Demo
  15. Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore me BE – Rikonfirmohet Majlinda Dhuka
  16. Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin – Rikonfirmohet Adea Pirdeni
  17. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Toni Gogu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme