Begaj reagon për situatën e zjarreve: Piromanët të ndëshkohen sipas ligjit. Ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për situatën e zjarreve në disa zona të vendit, duke shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë personat e angazhuar në përballimin e flakëve.
Begaj vlerëson punën e forcave në terren, të cilat po përballen me situata të vështira për të mbrojtur jetën e qytetarëve, banesat dhe pasuritë e tyre.
“Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona. Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë”, shkruan Begaj.
Presidenti ka reaguar edhe ndaj rasteve të zjarrvënieve të qëllimshme, duke kërkuar ndëshkim të ashpër për personat përgjegjës. Kreu i shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta dhe përhapjes së shpejtë të zjarreve.
“Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit. Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën. Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve”, shkruan ai.
Aktualisht 10 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa qindra forca dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve. Situata paraqitet më e vështirë në disa zona malore, ku terreni i thyer dhe vështirësia e ndërhyrjes nga toka kanë bërë të nevojshëm edhe angazhimin e mjeteve ajrore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



