Begaj takim me të diplomuarit e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike: Ju jeni ata që do të ndërtoni të ardhmen

Politikë | 5 muaj më parë

Presidenti Bajram Begaj, priti sot të diplomuarit e rinj të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit i përgëzoi për përfundimin e programit, duke u shprehur se njohuritë e marra në këtë shkollë duhet t’i përdorin nesër si qytetarë aktivë të jetës  publike.

Gjatë bashkëbisedimit, një vend i veçantë iu kushtua procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Begaj evidentoi faktin se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi: atë të mbylljes së negociatave, që i hap rrugë anëtarësimit të plotë në BE.

 “Faza në të cilën ndodhemi kërkon shumë më shumë punë, shumë më shumë angazhim dhe shumë më shumë bashkëpunim për konsolidimin e shtetit ligjor, për të ndërtuar institucionet demokratike, për forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, për forcimin e medias dhe për dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv”, – theksoi Presidenti Begaj,duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së ëndrrës dhe aspiratës së kahershme shqiptare për ta bërë Shqipërinë si Evropa me anëtarësimin e plotë të saj në BE.

Sipas Presidentit, anëtarësimi në BE është dhe përgjegjësi e madhe në përmbushjen e reformave që kanë të bëjnë me standardizimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë sonë në atë nivel që kërkon Bashkimi Evropian.

Begaj theksoi nevojën për vijimin e reformave transformuese që dëshmojnë pjekurinë e shtetit dhe të shoqërisë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes si një investim afatgjatë.

“Ju jeni ata që do të ndërtoni të ardhmen, – u shpreh Begaj gjatë bashkëbisedimit më të rinjtë,

Forcimi i demokracisë në vend dhe rritja e përgjegjësisë në vendimmarrje u cilësuan në këtë takim si elemente thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit për plotësimin e standardeve e evropiane.

Presidenti vlerësoi dhe rolin e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike në ndërtimin e një kulture të re politike dhe qytetare me frymë evropiane e me ndikim në shoqërinë shqiptare. Një falënderim të veçantë Presidenti Begaj përcolli dhe ndaj Këshillit të Evropës për mbështetjen e dhënë, duke theksuar rëndësinë për forcimin e këtij partneriteti.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme