Berisha: Do amendohet ligji për sponsorizimet, do dyfishojmë buxhetin për sportin

Gjatë prezantimit të programit për sportin të koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore”, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka premtuar qeverisja të dyfishojë buxhetin për këtë fushë, në rast se fiton garën elektorale të 11 majit. Berisha akuzoi për një “mafia qeveritare” në sport.
“Sporti do të ketë ligjin e vet, në të cilin do garantohen me ligj të gjitha burimet financiare transparente, të pastra. Të gjitha investimet, sponsorizimet e sektorit privat dhe shtetëror me inkurajim të madh nëpërmjet të ligjit të sponsorizimit, të angazhimit të biznesit në mbështetje. Krahas kësaj, buxheti për sportin do të dyfishohet. Shanset e barabarta në raport me shtetin të klubeve, janë të domosdoshme për një garë të ndershme, fisnike të tyre brenda vendit dhe jashtë. Mafia qeveritare në sport është problematike edhe në pazaret që bëhen pas perdeve në ato që quhen shitje dhe blerje”, tha ai.
Po ashtu, Berisha vuri theksin edhe tek edukimi sportiv i nxënësve në shkollë, që sipas tij do të jetë një shtyllë kryesore sistemit arsimor. Berisha tha gjatë fjalës së tij se qeveria do të mbështesë edhe sporte të tjera, jo vetëm futbollin.
Ai premtoi edhe amendim të ligjit për sponsorizimin në sport “me qëllim që të ketë më shumë autonomi”.
“Duke i garantuar për mbështetjen e plotë të qeverisë së PD, ftoj të gjithë sportistët të punojmë së bashku për një Shqipëri Madhështore, e cila nuk mund të jetë kurrë e tillë pa një sport madhështor”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




