Berisha me fituesit e primareve: Misionarë për të rikthyer bashkitë tek qytetari!

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje përkrahësve të partisë së tij dhe opozitës që në zgjedhjet lokale të viti të ardhshëm, t’ua rikthejnë bashkitë qytetarëve shqiptarë, duke nënkuptuar një fitore të opozitës.

Në një takim në Tiranë me fituesit e primareve, kandidatët e PD-së për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, zoti Berisha e konsideroi procesin si me rëndësi për Partinë Demokratike dhe pluralizmin në Shqipëri.

“Ne dëshmuam para shqiptarëve përkushtimin e plotë për dinjitetin e tyre, për votën e tyre, për vullnetin e lirë” tha zoti Berisha. “Ju kaluat një garë, një betejë për të hyrë në luftë. Një luftë elektorale. Në një betejë elektorale, me qëllimin më madhor, për t’ia rikthyer bashkitë qytetarëve shqiptarë. Ne ua rikthyem anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, përfaqësuesit e tyre dhe ja ku jeni”, u shpreh ai.

Zoti Berisha deklaroi se anëtarësia e PS nuk ka më asnjë zë te qeveritarët e saj. “Anëtarësia e PS nuk ka asnjë thënie, asnjë zë te qeveritarët e saj. Ata nuk përfaqësojnë më anëtarësinë, ata përfaqësojnë vetëm sektin e rilindjes, që është një sekt fund e krye antishqiptar”, tha ai.

Zoti Berisha akuzoi me këtë rast kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për shumëfishim të taksave.

“Shteti e ka detyrë të shkollojë fëmijët e qytetarëve. Kurse sipas këtij hajduti, shkollat duhet t’i ndërtojnë qytetarët. Me taksa ekstra. Taksë vetëm për arsimin, të cilat i vjedh dhe i shpërdoron në mënyrën më të tmerrshme. Ndërton një shkollë me kosto absolutisht nga 6 deri në 8 herë më të lartë sesa kostoja me të cilën ndërton shkolla PNUD-i i OKB-së në Tiranë, me paratë e donatorëve. Ka një kontratë për mbetjet, sipas të cilës kompanisë vetë, për çdo ton mbetjesh, duhet t’i paguajë taksapaguesi i Tiranës 11 euro për depozitim dhe 28 euro për djegie. Ka 5 vite që nuk është djegur një kg pleh, por secili kg i tyre i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë, 28 euro”Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme