Berisha njoftoi protestë më 6 dhjetor, Nikolla: Përbaltje për Shqipërinë! Mos i shkoni pas, për hallet e veta s’kursen shqiptarët

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka reaguar pasi kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, njoftoi për protestë më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të mbahet edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Në një postim në Facebook, Nikolla e konsideron protestën e thirrur prej Berishës si “aventurë”, nëpërmjet së cilës, sipas saj, po përbaltet Shqipëria dhe shqiptarët.
“Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, kam respektuar dhe do të vijoj të respektoj opozitën dhe të nxisë aksesin dhe hapësirat e saj në Kuvend dhe në jetën politike. Në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, në veprimtarinë parlamentare dhe jetën publike nuk kam mbajtur asnjëherë qëndrime të frymëzuara nga përkatësia ime politike e partiake. Por kur vjen puna për dinjitetin e Shqipërisë, nuk mund të hesht! Me aventurën e 6 dhjetorit, Sali Berisha nuk sulmon Qeverinë dhe Partinë Socialiste, por përbalt Shqipërinë dhe shqiptarët!”, shkruan Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit e akuzon Berishën se po kërkon të vendosë pengesa në rrugën e vendit drejt integrimit europian të vendit dhe se për hallet e tij, nuk kursen as Shqipërinë. Ajo i bën thirrje qytetarëve që të mos i bashkohen protestës së thirrur prej tij.
“Me thirrjet dhe veprimet e veta, Sali Berisha njollos rrënjët dhe identitetin evropian të shqiptarëve dhe kërkon të vendosë pengesa në rrugëtimin evropian të Shqipërisë! Thirrja ime për qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë është që ditën e Samitit të BE-së në Tiranë ta shndërrojmë në një ditë feste e përgjegjësie kombëtare! Mos i shkoni pas një njeriu që, në emër të hallit të vet, nën pretekstin e luftës politike kundër Qeverisë, nuk kursen as Shqipërinë!”, përfundon postimin Nikolla.
Në mbledhjen e Kryesisë të premten, Berisha njoftoi mbajtjen e protestës më 6 dhjetor, ndërsa argumentoi se zgjodhën këtë ditë me qëllimin që Evropa të kuptojë problemet reale të shqiptarëve, sipas tij. Ai theksoi se protesta do të jetë paqësore kundër qeverisjes aktuale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




