Berisha: Rama ka kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë, precedent i pashembullt

Politikë | 1 vit më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtar lidhur me atë që e cilëson si “farsë elektorale e dirigjuar nga narko-shteti”.

Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se beteja për të zbardhur të vërtetën e këtij procesi është një betejë kombëtare.

“Ne e kemi kapur në flagrancë Edi Ramën me krime monstruoze elektorale dhe bandën e tij që udhëheq. Ai po bën presione të jashtëzakonshme, janë kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë këtu, që nuk di të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër.

Janë kërcënuar egërsisht, vetë Edi Rama dhe ministri i tij, Igli Hasani që këtu në Shqipëri thotë jam shqiptar, shkon në Greqi e thotë jam grek”, tha Berisha.

Gjithashtu Berisha denoncoi se pensionistëve iu mblodhën kartat e identitetit që të mos votonin. Lideri i opozitës pretendoi se për vjedhjen e zgjedhjeve janë përdorur qindra miliona euro për të blerë vota, falje gjobash, dhënie legalizimesh dhe punësime masive.

“Sot, përsëri jam këtu për farsën e shëmtuar elektorale të narksoshtetit të 11 Majit 2025. E vërteta është se farsa siç po provojmë çdo ditë me fakte, është tërësisht një proces kriminal nga alfa tek omega e saj. Për Edi Ramën dhe narkozyrtarët e tij, nuk kanë mjaftuar përdorimi i 76 milionë eurove, 100 euro për çdo pensionist për të blerë vota. Nuk kanë mjaftuar 200 milionë euro gjoba dhe kamata të falura 2 ditë para zgjedhjeve. Nuk kanë mjaftuar 500 milionë euro prokurime tek oligarkët e tij për të blerë vota. Nuk kanë mjaftuar dhjetëra mijëra punësime për vota. Nuk kanë mjaftuar 29 mijë hektarë kanabis në të cilat mbillen së paku 100 milionë rrënjë kanabis. Këtu është dëshmia tronditëse se si narkobanditi, punonjësi i shtetit, shkon dhe mbledh kartat e identitetit të qytetarëve, me pretekstin se do i disbursojë pensionin dhe kartat ua mban, duke ditur bindjet e tyre politike, që ata të mos votojnë”, tha Berisha.

Zgjatja e hetimeve me 6 muaj për Ilir Metën, i cili ndodhet aktualisht në burg, është cilësuar nga Berisha e paligjshme dhe shkelje flagrante e ligjit.

“Vendimi i fundit i kreut të organizatës kriminale Edi Rama dhe Altin Troplinit për të mbajtur në burg kryetarin e Partisë së Lirisë, partisë së dytë më të madhe opozitare, është një akt politik, kriminal që dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta. Ilir Meta u burgos në mënyrë brutale, pa asnjë urdhër arresti, me urdhër të vetëm të Edi Ramës. Ilir Meta u mbajt dhe mbahet në burg si person në hetim pa asnjë provë, asnjë fakt penal. Ndaj tij, edhe pasi dorëzoi dosjen në gjykatë, Altin Troplini me urdhër të Edi Ramës, kërkoi shtytje 6 muaj të hetimeve. Kjo përbën shkelje të rëndë të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme