Berisha protestë më 6 dhjetor, Xhaçka: Po përpiqet të turpërojë Shqipërinë në ditën kur sytë e Europës do jenë tek ne

Ministrja e jashtme , Olta Xhaçka, e ka konsideruar “të turpshme” protestën e 6 dhjetorit të paralajmëruar nga kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha.
Në një postim në Facebook, Xhaçka shkruan se Berisha po përpiqet të turpërojë vendin, sipas saj, pikërisht në ditën kur “sytë” e Europës do të jenë tek Shqipëria për Samitin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor
“Është e turpshme ajo që kërkon të bëjë Sali Berisha në 6 dhjetor duke u përpjekur të turpërojë Shqipërinë pikërisht në ditën kur sytë e gjithë Evropës janë tek Shqipëria për Samitin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Xhaçka.
Teksa i bën thirrje qytetarëve që të mos i bashkohen Berishës në protestë, Xhaçka thekson se 6 dhjetori do të jetë një moment krenarie për të gjithë shqiptarët dhe një ditë për të nxjerrë në pah më të mirën që vendi ynë mund të ofrojë
“6 dhjetori është një moment krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të cilësdo bindje politike. Sepse është një arsye për t’u ndjerë krenar kur BE vendos ta vlerësojë Shqipërinë, reformat, punën, progresin, politikën e saj të jashtme, duke organizuar këtij samitin e saj ku do të marrin pjesë krerët e shtetit të mbarë vendeve anëtare e rajonit. Është pra një ditë për të nxjerrë në pah më të mirën që mund të ofrojë ky vend e ky popull. E padyshim, Sali Berisha nuk është më e mira që mund të ofrojë ky vend. Përkundrazi, Sali Berisha është një kapitull i mbyllur me turp për shqiptarët dhe për Evropën, nën peshën e skandaleve e korrupsionit, që tani turpin e tij po përpiqet ta bëjë turpin e shqiptarëve. Sepse ajo protestë nuk turpëron as Qeverinë, as Kryeministrin, as Partinë Socialiste, por shqiptarët dhe Shqipërinë. 6 dhjetori do të jetë një ditë krenarie për Shqipërinë, pavarësisht ëndrrave e planeve të Sali Berishës, sepse qytetarët shqiptarë do t’i rrinë larg këtij njeriu që ka treguar më se njëherë, që për hallin e vet është gati të turpërojë vendin”, përfundon Xhaçka postimin e saj.
Në mbledhjen e Kryesisë të premten, Berisha njoftoi mbajtjen e protestës më 6 dhjetor, teksa Partia Socialiste ka reaguar njëzëri, duke dënuar përzgjedhjen e kësaj date që përkon me mbajtjen në Shqipëri të samitit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




