Berisha: Të krijohen trupa gjykuese jashtë kontrollit të SPAK. “21 Janari” krim shtetëror “pa dashje”
Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar krijimin e trupave gjykuese jashtë kontrollit të Prokurorisë së Posaçme. Sipas Berishës, po fshihen krime të prokurorëve të SPAK, ndërsa ka paralajmëruar se kjo do të jetë çështje kryesore në Këshillin e Europës.
“Sot jashtë kontrollit ligjor është vetëm një grup këtu i skapistëve, të cilët me dokumente zyrtare fshehin krime monstruoze të prokurorëve që punojnë këtu. Kështu pra, çdo gjykatë, e cila është në kontrollin e prokurorit që çon dosjen, ka të njëjtin trajtim nga ne.
Sigurisht këta do marrin këto vendime, por zgjidhja është të krijohen trupa gjykuese jashtë kontrollit të tyre. Se këta kontrollojnë gjykatën speciale, nuk kontrollojnë gjykatën e Tiranës.
Por kjo do shkojë në gjykatën ndërkombëtare në Strasburg, do jetë çështje kryesore në Këshillin e Europës dhe afërmendshi do marrë turpin e tij me deklaratën që bëri afërmendsh”, deklaroi Berisha.
Në një deklaratë për gazetarët pas përmbushjes së detyrimit të paraqitjes në SPAK, Berisha u pyet nëse ndante të njëjtin qëndrim me Gjykatën e Strasburgut që e cilësoi “21 Janarin” si krim shtetëror.Berisha pranoi se 21 Janari ishte krim shtetëror “pa dashje”, pasi sipas tij, vrasjet e 4 protestuesve nuk ishin qëllim.
“Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse garda ka pasur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje. Në rastin e krimit shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti i viktimës është më i madh. Këta, siç di unë, janë dëmshpërblyer me shuma, nuk di të them afrohen në shkallën e duhur apo jo. Ata u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Dhe është faktuar kjo që them. Nuk ka pasur absolutisht asnjë urdhër. Aq sa është përgjegjës Edi Rama direkt që i solli aty. Ka një deklaratë të qeverisë amerikane aty, që thotë të hetohet nga polici, tek organizatori. Ka një deklaratë tjetër, që demonstrata ishte e dhunshme dhe kishte agjendë politike. Edi Rama është përgjegjësi kryesor”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




