Bilanci i zjarrit në Himarë, Tavo: Tre banesa të djegura, dëme të mëdha te ullinjtë shekullorë

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka bërë bilancin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga zjarri që përfshiu Himarën disa ditë më parë, duke deklaruar se situata tashmë është normalizuar.
Tavo tha se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë, duke kërkuar angazhimin e forcave zjarrfikëse nga disa bashki, ushtrisë, Policisë dhe strukturave të emergjencave civile. Sipas tij, tashmë situata është stabilizuar dhe ka nisur evidentimi i dëmeve në terren, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
“Ka qenë një situatë e jashtëzakonshme. Zjarri ka qenë në përmasa apokaliptike, do të thosha. Në total ishin pothuajse 270 forca në terren që po merreshin me përballimin e situatës së zjarrit. Tashmë situata është stabilizuar plotësisht në territor. Ne jemi të gjithë si bashki, së bashku me AKMC-në, për të bërë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve dhe për të filluar më pas menjëherë me rikuperimin e tyre”, tha kryebashkiaku.
Tavo thekson se janë tre shtëpi të banuara dhe të banuara dhe tre të pabanuara të djegura plotësisht. Kryebashkiaku sqaroi se dëmet më të mëdha janë shkaktuar te ullinjtë shekullorë, ndërsa janë dëmtuar edhe rreth 40 koshere bletësh.
“Realisht sot janë vetëm tre shtëpi të djegura plotësisht, shtëpi të banuara. Janë dhe rreth tre shtëpi të tjera të pabanuara, shtëpi shumë të vjetra, pa çati, që kanë qenë vetëm shtëpi me mure”, u shpreh ai.
Sa i përket shkaqeve të zjarrit, Tavo tha se çështja është nën hetim nga Policia e Shtetit.
“Është çështje e Policisë së Rendit, e cila po merret intensivisht me këtë fakt. Kam përshtypjen se dikush është ndaluar, pa pasur akoma një relacion ose një raport të qartë nga ana e Policisë së Rendit, kështu që është çështje e tyre dhe unë nuk mund të flas më shumë për këtë gjë”, deklaroi kryebashkiaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



