Bisedimet me Hamasin për pengjet, Netanjahu dërgon shefin e Mosadit në Katar

Kryeministri Benjamin Netanjahu ka udhëzuar shefin e Mossad-it, David Barnea, të udhëtojë në Katar për bisedime mbi lirimin e pengjeve të Hamasit.
Netanjahu informoi presidentin e SHBA Joe Biden për vendimin e tij përmes një telefonate.
Të dy udhëheqësit diskutuan marrëveshjen e mundshme për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi që nga masakra e 7 tetorit.
Zyra e Netanjahut tha në një deklaratë se kryeministri përsëriti parimet për të cilat Izraeli ishte i përkushtuar, kryesisht për t’i dhënë fund luftës vetëm pasi të ishin përmbushur objektivat e saj.
Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Netanjahu falënderoi presidentin për mbështetjen e palëkundur të Izraelit dhe Biden përsëriti angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit, duke përfshirë edhe përballjen e kërcënimit nga Hezbollahu.
Netanjahu vendosi të dërgojë shefin e Mossad-it në negociatat e rinovuara, të cilat konsideroheshin se kishin një shans më të mirë për sukses, përpara se të mblidhej kabineti i sigurisë.
“Duket se ai dëshiron një marrëveshje dhe është akuzuar gabimisht se ka penguar lirimin e pengjeve. Ai miratoi fleksibilitetin në pozicionin e Izraelit gjashtë herë”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Sipas zyrtarit, shqetësimi ishte se konsideratat politike do të prishnin shanset për një marrëveshje, veçanërisht nëse partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të Netanyahu ia dilnin ta pengonin atë. “Ata duhet të kuptojnë se Hamasi po përdorte opozitën e tyre si mjet në luftë dhe se po luanin në duart e grupit terrorist”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




