Blendi Fevziu: Atmosfera në Shqipëri gjatë çlirimit të Kosovës ishte entuziaste, ishim të bindur se NATO do të fitonte

Gazetari i njohur, Blendi Fevziu, ka kujtuar atmosferën mbizotëruese në Shqipëri gjatë momentit të çlirimit të Kosovës në vitin 1999, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon. Si dëshmitar i ngjarjeve, Fevziu shpjegoi se ndërsa shqiptarët e Kosovës përjetonin një ankth të madh, në Shqipëri dominonte një atmosferë entuziaste.
Sipas Fevziut, në Shqipëri nuk kishte asnjë dilemë se lufta do të përfundonte me fitoren e trupave të NATO-s. Ai kujton se që në momentin e parë të bombardimeve, Shqipëria ndjehej më e qetë.
“Kam takuar në atë kohë kryeministrin e Shqipërisë, që i thirri në atë kohë ministrat në një mbledhje të jashtëzakonshme. Nuk kishte asnjë dilemë që lufta do të mbaronte me fitoren e trupave të NATO-s,”, tha Fevziu.
Megjithatë, ai shtoi se ekzistonte një pasiguri për statusin e ardhshëm të Kosovës. Por, edhe ky besim, sipas tij, filloi të lëkundej në javët e para të qershorit, duke u zëvendësuar me bindjen se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, edhe me praninë e NATO-s, ishte e pamundur pas dhunës dhe vrasjeve.
“Dilema e Rambujesë u mbyll që në mes të prillit. Kosova kishte fituar një pavarësi de facto dhe ishte thjesht çështje kohe kur do të ndodhte,”, theksoi Fevziu, duke shtuar se edhe mbështetja ruse për Millosheviçin u dorëzua.
“Dihej pak a shumë se çfarë do të ndodhte. Atmosfera në Shqipëri ishte entuziaste. Nuk e kishte Shqipëria ankthin që kishin shqiptarët e Kosovës. Fitorja ishte e padiskutueshme në bindjen tonë,”, përfundoi Fevziu, duke nënvizuar ndjenjën e thellë të fitores dhe lehtësimit që përshkoi Shqipërinë në ato momente historike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




