Bllokohet përkohësisht aksi Tuneli i Llogarasë – Dhërmi, shpërthimi me dinamit mbush rrugën me inerte

Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor që lidh Tunelin e Llogarasë me Dhërmiun dhe Himarën është bllokuar ditën e sotme, duke krijuar vështirësi për banorët dhe drejtuesit e mjeteve në zonë.
Shkak për këtë situatë është bërë procesi i punimeve për zgjerimin e rrugës në zonën e Palasës.
Sipas gazetares sw RTSH 24, firma kontraktore që po kryen punimet ka përdorur lëndë plasëse për të shkëputur një masiv shkëmbor, pjesë e projektit për hapjen e trasesë së re.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm me dinamit, një sasi e madhe inertesh dhe gurësh ka përfunduar në rrugën ekzistuese, duke e bërë atë të pakalueshme për momentin. Kjo ka sjellë paralizimin e lëvizjes në këtë segment të rëndësishëm turistik dhe strategjik për zonën e Bregut.
Situata po menaxhohet nga vetë firma private që shkaktoi bllokimin. Mjetet e rënda të kompanisë ndodhen aktualisht në terren dhe po punojnë me intensitet për pastrimin e inerteve dhe gurëve nga asfalti, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në qarkullim.
Deri në pastrimin e plotë të aksit, drejtuesve të mjeteve u kërkohet durim dhe kujdes i shtuar në këtë segment.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




