Boksi dhe 75-vjetori i kampionatit të parë

75-vjetori i kampionatit të parë kombëtar të boksit për të rritur, i zhvilluar më 1-10 prill 1947, ishte qëllimi i simpoziumit që Shoqata e Veteranëve të sportit të dorezave bëri në sallën kryesore të Akademisë së Shkencave në Tiranë. Partizani, Ylli i Kuq i Durrësit, 17 Nëntori, Dinamo e Korçës, skuadra e të rinjve të Hekurudhës etj sollën një sërë boksierësh, të cilët do të ishin dallëndyshja e parë e këtij sporti në vend. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Boksit në Shqipëri, Et’hem Ibrahimi, i cili është dhe autori i historikut të sportit të dorezave, zbulon dhe të veçantën e këtij kampionati.
“Ky kampionat kishte të veçantën se për herë të parë në vendin tonë aktivizohej një aktivitet sportiv në sportin e boksit, që bëhej me shumë boksierë. Deri në atë kohë boksi zhvillohej individualisht nga boksierë të veçantë si Rafail Dishnica, Ali Kastrati, Mehmet Kryeziu e shumë të tjerë. Kurse ky ishte i organizuar nga komiteti i sportit në vendin tonë”.
A ishte ky kampionat që shënon dhe shpërthimin e një talenti si Ali Kastrati?
“Një ndeshje që u realizua në vitin 1946 mes Rafail Dishnicës dhe Ali Kastratit, ishte me tetë raunde, jo për titull kampion, e fitoi me pikë pas përfundimit të raundit të tetë, Rafail Dishnica. Ndërsa në këtë kampionat ata u ndeshën përsëri bashkë, përsëri me tetë raunde, por përfundoi në raundin e pestë me nokaut, me fitues Ali Kastratin”.
E ndërkohë shoqata e veteranëve të boksit në vend ka dhe të tjera aktivitete përgjatë vitit 2022. Ibrahimi zbulon: “Këtë vit kemi 100 vjetorin e lindjes së Mjeshtrit të Madh, Ali Kastrati për të cilën po përgatitemi për ta bërë sa më mirë, një aktivitet madhor”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




