Bora Muzhaqi tregon paragjykimet: Më thonin erdhi nga Anglia për t’u bërë ministre

Politikë | 4 vite më parë

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në një intervistë dhënë gazetarit Andri Xhahu për emisionin “Në radio”, foli për sfidat e angazhimit të saj.

“Në momentin kur u bëra ministre, ishte një sfidë shumë e madhe sepse është privilegj por ka dhe shumë angazhime e përgjegjësi.”

E pyetur nëse është ndjerë e paragjykuar prej moshës së re në drejtimin e një ministrie, Muzhaqi shprehet: “Deri diku ne, por edhe i gjithë Mesdheu i ka në natyrë paragjykimet për moshën e re. Në rastin tim paragjykimi shkoi pak më larg kur thonin se është kthyer nga Anglia për t’u bërë ministre. Në atë kohë unë kisha tetë vite që isha kthyer, ky është viti im i dhjetë në Shqipëri. Ndonjëherë është mungesa e leximit dhe njohurive mbi çfarë kam bërë unë më parë.”

Lidhur me këtë Muzhaqi tregon se faki që dikush vjen nga sektori privat dhe pavarësisht se nuk ka qenë figurë publike nuk do të thotë që nuk ka një eksperiencë të mirëfilltë pune. “Shpeshherë më duket sikur njerëzit nuk mendojnë që unë jam 33 vjeçe tani, por më konceptojnë se jam te të njëzetat. Kjo të bën të ndihesh sikur vlerësosheh vetëm për moshën, por puna flet vetë. Programet e mira që ne kemi bërë dalëngadalë po fillojnë të perceptohen nga publiku i gjerë duke ndikuar te të rinjtë dhe fëmijët.”

Për sa i përket komenteve për të, kryesisht në rrjetet sociale. Muzhaqi thotë se i merr me sportivitet. “I tejkaloj komentet dhe i marr me sensin tim anglez, që duhet të bësh shaka me veten. Që kur u futa në këtë rrugë e dija që të qenit pjesë e spektrit publik do të ishte një sfidë për mua, një person që bën punën pas ekranit të laptopit. Sigurisht që është e vështirë të dalësh e të flasësh publikisht. Nuk ishte një aftësi e lindur imja. Kur je i ri, shto dhe faktin që flas shpejt, rastis të bësh një lapsus të vogël. Por i kam marr me shaka dhe humor dhe kam thënë që të jesh i ri do të thotë të bësh edhe gabime.”

Pas gjithë angazhimeve, sa kohë gjen Bora për veten dhe pasionet e saj? “Është e vështirë duke qenë se unë përfshihem në punën që bëj. Ndodh që edhe në fundjavë, nëse po zhvillohet një aktivitet, gjithmonë dua të shkoj. Dëshira e madhe për të mos i thënë ‘jo’ angahzimeve publike me të rinjtë dhe fëmijët, më rastis që ditët e pushimit të merrem me punë. Kjo nuk më lejon të kem shumë kohë për jetën personale.”

Të qenit ministre, për Borën është një privilegj që nuk i jepet kujtdo, ndaj duhet të japësh maksimumin edhe duke sakrifikuar jetën perosnale dhe familjare. “Nuk është një punë që e bën për gjithë jetën, dhe nëse nuk jep maksimumin tënd është  gabim, një detyrë e dhënë padrejtësisht. Ia vlen ta bësh këtë investim sepse kur të bëj dhe unë një fëmijë, do të doja shumë që ata të kenë mundësi të bëhen pjesë e këtyre programeve që unë kam hartuar bashkë me kolegët e mi. Është kënaqësia e punës së mirë që ke bërë.”

Por me sa duket, mëmësia duhet të presë edhe pak sepse Bora Muzhaqi është e përqendruar fort në punën e saj. “E dua punën me të gjithë elementët e saj, kur shoh programet që bëhen realitet, është një satisfaksion që edhe pse nuk ke dalë për një drekë me miqtë, e kupton që ka vlerë puna që ke bërë dhe të duket më e thjeshtë kur i ke lënë disa gjëra mënjanë. Po të pyesësh bashkëshortin ose prindërit e mi nuk do të jenë dakord me këtë koment, por unë e kam ndërmarrë këtë sakrificë dhe fatmirësisht ata më mbështesin.”   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme