Bota me sytë në Londër, Kurorëzohet Mbreti Charles III: Jam këtu për t’ju shërbyer dhe jo për të më shërbyer

Botë | 4 vite më parë

Për herë të parë në shtatë dekada, një monark i ri britanik është kurorëzuar zyrtarisht. Ndryshe nga çdo monark që kurorëzohet në moshë të re, Charles III është kurorëzuar të shtunën si mbret i Mbretërisë së Bashkuar, në moshën 74 vjeçare. Charlsi III u shpall mbret përmes një ceremonie solemne, me traditë mijëra vjeçare.

Kryepeshkopi i Canterbury Justin Welby vendosi kurorën e Shën Eduardit mbi kokën e Charles III, pjesa më e rëndësishme e shërbimit të kurorëzimit. Në të njëjtën ceremoni, bashkëshortja e Charles III,  Camilla, është shpallur mbretëreshë. Kurora e Shën Eduardit, një simbol i artë i monarkisë, është vendosur në kokën e Charles III, për vetëm pak minuta, nën thirrjet “Zot, ruaje mbretin”.

Pas shume spekulimesh se Princ Harry nuk do te ishte prezentë ne kurorëzim, ai mbërriti në ceremoni, ndër grupin e parë të mbretërve që hynë në Abbey. Harry mori pjesë pa gruan e tij, Meghan, dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë mbetur në SHBA.

Himnet janë kënduar në kishën Westminster Abbey të Londrës, ndërsa jashtë janë dëgjuar të shtëna armësh dhe fishekzjarrë tjera, për të shënuar kurorëzimin e parë të një monarku britanik prej vitit 1953.

Zilet janë dëgjuar nëpër të gjitha kishat e Britanisë, kur ka nisur ceremonia. Mbreti Charles dhe bashkëshortja e tij Camilla, tashmë mbretëreshë u kthyen në Pallatin Buckingham, ku parakaluan para turmave të mëdha të njerëzve.

Charles, 74-vjeçar, e mori titullin e mbretit pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeta II, në shtator të vitit të kaluar. Elizabeta II,  shërbeu shtatë dekada si mbretëreshë. Në ceremoninë e kurorëzimit kanë marrë pjesë mbi 2.300 mysafirë, përfshirë Princin Harry dhe Dukeshën e Saseksit.

Në mesin e figurave të njohura botërore ishin: Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, presidenti i Francës, Emmnauel Macron, presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) Ursula von der Leyen dhe shumë të tjerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjithashtu ishin të pranishëm në këtë ceremoni. Autoritetet e sigurisë kanë ashpërsuar masat e sigurisë në qendër të Londrës, pasi në ceremoni morën pjesë mbi 100 liderë botërorë. Sipas autoriteteve, më shumë se 11.500 zyrtarë policorë do të garantojnë sigurinë, në kryeqytetin britanik.

Në nder të mbretit Charles dhe Mretëreshës Camila,  ekipi aerobatik i Forcave Ajrore Mbretërore, Shigjetat e Kuqe, performuan në hapësirën qiellore për të festuar kurorëzimin e monarkëve të rinj.

Pas ceremonisë  Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla lanë Pallatin Buckingham në fund të ditës së kurorëzimit të tyre, duke u larguar me makinë  Turmat e njerëzve të shumtë brohorisnin ndërsa çifti u shfaq në dalje të portave të Pallatit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme