Botërori i paratërinjve, në Tiranë më 2023

Shqipëria do të jetë organizatorja e Kampionatit Botëror të të paratërinjve në peshëngritje për vitin 2023. Ose më saktë të Botërorit të moshës deri në 17 vjeç. Ky ka qenë vendimi i fundit i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Peshëngritjes, që është mbledhur një ditë përpara Kongresit, ndërsa punimet e tij janë zhvilluar në Tashkent të Uzbekistanit. Shqipëria e ka mbrojtur kandidaturën e saj nëpërmjet presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Florian Hoxha kanë qenë në Uzbekistan, atje ku më 7-17 dhjetor u zhvillua dhe Kampionati Botëror i të rriturve.
Briken Calja me tre medaljet e tij, një të artë në stilin e shkëputjes dhe dy të argjendta, në shtytje dhe në dygarësh, ishte krenaria e peshëngritjes shqiptar. Pa harruar vendin e katërt në dygarësh të Erkand Qerimajt, si dhe vendin e katërt në stilin e shkëputjes të Evangjelia Velit. Më parë Shqipëria ka qenë organizatore e Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç në Durrës më 2008 dhe 2017, si dhe i Europianit të të rriturve më 2013. E një botëror, edhe pse për moshat deri në 17 vjeç, apo paratërinj, vjen për herë të parë më Tiranë. Ndaj dhe është vlerë e shtuar për peshëngritjen shqiptare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




