Botërori i peshëngritjes, Shqipëria do medalje

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Kampionati Botëror i moshave 15 dhe 17 vjeç në peshëngritje, i cili do të zhvillohet në Durrës nga 25 mars – 3 prill ka impenjuar shtangën kuqezi. Kombëtarja, nën drejtimin e Leonard Toskës, Isa Balës dhe Eglantina Kalemit, është e grumbulluar prej 3 muajsh, ndërsa e premtja ka qenë edhe si garë kontrolli për të gjithë kandidatët për medalje në Durrës. U shfrytëzua Kampionati Kombëtar i moshave 15 dhe 17 vjeç për të parë gjendjen e Enkileda Carjes, Antonino Murrizit dhe Samoel Rrasës, të cilët edhe sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, janë kandidat për medalje.

“Federata tashmë kërkon të ngushtojë hendekun midis brezave pasi kemi një ekip të parë dhe veteranë siç Erkand Qerimaj, Briken Calja, Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj. Të gjithë gjatë gjithë kohës kanë dhënë medalje dhe kanë dalë Kampion Bote, Europe, Mesdheu. Por ky breza tashmë po largohet dhe ne nuk duhet të kemi historitë e vendeve fqinje, që i është dashur shumë kohë për riparim. Kjo është ideja dhe qëllimi i Federatës dhe shumë shpejt ky breza i ri do ta thotë fjalën, sepse sot merr pjesë në Botërorin e moshave dhe pas 2-3 vitesh do të jetë në Botërorin e të rriturve”, shpjegon i pari i peshëngritjes shqiptare.

Madje ai jo vetëm që është i bindur tek këta sportistë, por mendon që pas “Paris 2024”, duke përfshirë dhe Ertian Kofshën, do të jenë këto peshëngritës që do të bëjnë zevëndësimin e brezave në peshëngritje.

“Patjetër ky është qëllimi i Federatës. Prandaj ne i grumbullojmë tre muaj përpara këta të rinj, sepse pas 2-3 vitesh këto do të furnizojnë ekipin e parë. Dhe unë po jap i shembull. Vetëm ekipi grek, të cilin e kemi dhe gjiton, rreth 12-15 vjet nuk gjen të zëvendësojë ekipin e parë, gjë që nuk është punuar me ekipet zinxhir. Ky është objektivi i Federatës, që tashmë e ka bërë dhe realitet, ndërsa do të kemi vërtetë medalistë në Kampionatin Botëror”, thekson Gjoza.

Leonard Toska tregon për RTSH Sport gjendjen e kombëtares së Shqipërisë së moshave, teksa ka falënderuar të gjithë ata që kanë bërë të mundur këtë grumbullim prej 3 muajsh.

“Mendoj se është bërë një vlerësim i madh nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Tani na kanë sjellë dhe medikamente, që ne nuk kemi përdorur fare me sportistët. Bëhet fjalë për proteinat, që janë suplementet e që ne do t’i përdorim, sepse janë energji dhe burim force për sportistin për ngarkesat e mëdha që merr. Gjej rastin t’i falënderoj për çfarë kanë bërë. Ky grumbullim është i jashtëzakonshëm. Po punojmë dy stërvitje në ditë me intensitet të lartë. Jemi tre trajnerë të përkushtuar për të arritur rezultate sa më të mira”, nënvizon Toska.

Dhe në syrin e specialistit të sprovuar, Toska e sheh të ardhmen e ndritur të peshëngritjes shqiptare.

“Patjetër këto 3-4 sportistë që unë përmenda këta do të zëvendësojnë ekipin e të rriturve. E kjo me një të ardhme shumë të shpejtë, ndërsa për 2-3 vjet do të jenë në ekip të parë”, bën të ditur Leonard Toska

82 kilogram në shkëputje dhe 96 kilogram në shtytje, ndërsa Enkileda Carja duket e fortë për t’u përfshirë në zonën e medaljes. Kështu mendon trajneria e saj, Eglantina Kalemi, por dhe vetë sportistja.

“Aktiviteti që u bë sot, i cili është Kampionati Kombëtar për U-15 dhe U-17 tregoi dhe një herë që Enkileda është kampione e padiskutueshme dhe rekordmene për moshat e veta dhe për U-17. Këto të dhëna të sotme tregojnë se Enkileda mund të jetë në pesëshen më të mirë të Botës, ndërsa mund të kemi dhe surpriza në shkëputje, teksa do të jemi në treshen e Botës”, tregon trajneria Kalemi.

“Ne po stërvitemi fort çdo ditë, por unë nuk mund të jap siguri për atë që mund të madh, por shpresojmë të dalim sa më mirë”, shpjegon Carja

Por çfarë mendojnë për Botërorin e paratërinjve Samoel Rrasa dhe Antonino Murrizi? Të emocionuar para mikrofonit, por jo në pedanë, ndërsa kërkojnë medaljen.

“Jam kandidat për medalje vend të tretë në Botëror për paratërinj. Me 121 kilogram në shkëputje do të marrim medalje bronzi”, tregon Samuel Rrasa për RTSH Sport.

“Synimi im është të marrë medalje. 102 kilogram në shkëputje dhe 120 kilogram në shtytje”, thotë Murrizi.

Më 28 mars në Shqipëri do të zhvillohet dhe mbledhja e Bordit Ekzekutiv, ndërsa peshëngritja kuqezi pretendon të marrë organizimin e Botërorit të të rriturve më 2024. Ndaj Botërori i moshave 15 dhe 17 vjeç është si një gur prove për të bindur ndërkombëtarët se duhet dhe një aktivitet të rriturish në Tiranë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme