Braktisi “Air Force One”/ Si e ndryshoi Presidenti Trump fshehurazi avionin pas kërcënimit nga Irani, mediat zbulojnë detajet

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka ndërruar fshehurazi avion gjatë largimit nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, si pjesë e një operacioni të sofistikuar sigurie, pas një kërcënimi të mundshëm nga Irani, raportojnë mediat amerikane.
Sipas “Washington Post”, presidenti amerikan hipi fillimisht në Air Force One, në pamje të kamerave televizive, përpara se të transportohej fshehurazi drejt një avioni tjetër ushtarak, me ndihmën e një kamioni furnizimi që u ngrit deri në nivelin e avionit. Gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në bord nuk e dinin se presidenti ishte nxjerrë fshehurazi nga avioni.
Zyrtarë i thanë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se SHBA-ja kishte zbuluar një kërcënim të besueshëm nga Irani për të lëshuar një raketë drejt avionit. Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ndërrimin sekret të avionit.
Trump kishte deklaruar më herët gjatë samitit në Ankara se ishte “objektivi numër një” i Iranit.
Manovra sekrete ndodhi një ditë pasi SHBA-ja rifilloi sulmet ushtarake ndaj Iranit, pas dështimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës.
Trump kishte mbërritur në Turqi me një Boeing 747-8 të ri, të dhuruar nga Katari, por njoftoi se do të largohej me Air Force One-in e vjetër, “për hir të kohëve të vjetra”.
Më 8 korrik, pamjet treguan Trumpin duke hipur në avionin presidencial në aeroportin e Ankarasë. Por, sipas Washington Post, ai u transportua më pas në mënyrë sekrete drejt një avioni më të vogël ushtarak, C-32A, një Boeing 757 i modifikuar që përdoret shpesh nga nënpresidenti. Trump u dërgua drejt avionit përmes një kamioni furnizimi, i cili ishte ngritur në lartësinë e avionit, në anën e kundërt të asaj ku ai kishte hipur fillimisht.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hipi në C-32A veçmas, përmes shkallëve të jashtme, në përpjekje për ta bërë fluturimin të dukej normal, sipas gazetës.
Ndërkohë, gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë hipën në Air Force One dhe thuhet se iu kërkua të mbyllnin grilat e dritareve. Ata nuk ishin në dijeni se presidenti nuk ndodhej më në bord.
Trump më pas fluturoi drejt Britanisë së Madhe, në rrugën e kthimit për në SHBA, ku u rikthye në Air Force One-in e vjetër. Ai u pa duke zbritur nga avioni pasi ai u ul në bazën ajrore RAF Mildenhall. Nuk është e qartë se si u transferua Trump nga C-32A në avionin presidencial.
Presidenti më pas kaloi në Air Force One-in e ri, të dhuruar nga Katari, për udhëtimin drejt Uashingtonit.
Gjatë këtij fluturimi, Trump foli me gazetarët në bord dhe përmendi kërcënimet që vinin nga Irani, por nuk bëri të ditur ndërrimin e mëparshëm të avionit.
I pyetur pse gazetarëve iu ishte kërkuar të mbyllnin grilat e dritareve gjatë fluturimit nga Turqia, Trump tha: “Sepse ndoshta jeni në një fluturim të rrezikshëm për shkak të maskarenjve me të cilët duhet të merremi.”
Ai tha se kishte “gjithmonë një kërcënim” ndaj jetës së tij dhe se ishte “numri një” në listën e Iranit.
“Por nëse unë iki, ikni edhe ju, apo jo?”, tha Trump, duke shtuar me shaka: “Ndoshta një ditë do të doni të ndryshoni profesion.”
Drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, nuk e konfirmoi dhe as e mohoi drejtpërdrejt raportin, por tha se Air Force One i ri është një “avion i teknologjisë më të avancuar”, i pajisur me masa sigurie për mbrojtjen e presidentit dhe stafit të tij.
Inteligjenca amerikane kishte paralajmëruar më herët për një kërcënim specifik ndaj Trumpit ose avionit të tij, sipas raportimeve të mëparshme të CBS News.
New York Times kishte raportuar më herët për shqetësimet e sigurisë lidhur me avionin e dhuruar nga Katari, duke përfshirë faktin se Shërbimi Sekret i kishte rekomanduar Trumpit të ndërronte avion gjatë kthimit nga samiti i NATO-s.
Disa gazetarë të kësaj gazete u thirrën për të dëshmuar nën betim lidhur me raportimet. Departamenti i Drejtësisë më pas i tha BBC-së se po hetonte rrjedhjet e paligjshme të informacionit.
SHBA-ja ka shpenzuar muaj të tërë për modernizimin e Boeing 747-8, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, për ta përgatitur për përdorim nga presidenti. Burime i kanë thënë CBS News se avionët e vjetër Air Force One janë të pajisur me teknologji lazer që mund të verbojë raketat në hyrje. Nuk dihet se çfarë sistemesh mbrojtëse ka avioni i dhuruar nga Katari.
“Air Force One i ri është plotësisht i sigurt për udhëtimet e presidentit, por do të marrë përmirësime dhe pajisje shtesë gjatë vjeshtës, të cilat do të zgjasin rreth një muaj,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë për CBS News.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






