Breshëri dëmton serrat në Cërrik – Bashkia ka nisur punën për vlerësimin e dëmit në njësinë Selitë

Do të mjaftonin vetëm 5 minuta reshje të dendura të se premtes së kaluar që fermerët e njësisë administrative Selitë të Cërrikut të përjetonin një skenë tronditëse. Serat e sapo ngritura duke pritur vjeljet e tyre ishin shkatërruar totalisht duke shkaktuar dëme të mëdha.
“Siç e shikoni është 100 milion lekë dëm, plus serra. Kërkojmë të kompensohet aq sa e vlerëson shteti”, u shpreh një fermer.
E vetmja gjë që i gëzon fermerët e dëmtuar është se në momentin e stuhisë ishin në banesat e tyre. Nëse do të ndodheshin në sera duke punuar, pasojat do të shtriheshin edhe tek vetë ata.
“Dy ditë kam që e përfundova po e bëja gati me pikatore, stuhia ma mori për 5 minuta”, u shpreh një tjetër fermer.
Bashkia e Cërrikut, menjëherë pasi u njoh me rastin, ka ngritur grupin e punës për llogaritjen e dëmeve dhe kompensimin e tyre.
‘Ne jemi në procedura e sipër duke llogaritur edhe dëmet për çdo familje, duke nxjerrë dhe një preventiv të dëmtimeve qoftë të serrave apo dhe të prodhimit që ka pasur në këto serra. Ky dëm i shkaktuar është i vështirë për tu përballuar 100% nga fondet e bashkisë”, u shpreh Drejtori i Bujqësisë, bashkisë Cërrik, Çerçiz Shabani.
Janë gjithsej 9 familje fermere të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme në sera. Ata shpresojnë që pas kompensimit t’i kthehen edhe njëherë normalitetit në punën me serat.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




