Briken Calja, krenaria e shtangës shqiptare

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Briken Calja është superfuqia e peshëngritjes shqiptare në Kampionatin Botëror të Tashkentit në Uzbekistan. Kampion Bote në stilin e shkëputjes dhe nënkampion Bote në stilin e shtytjes dhe dygarësh. E nis në mënyrën më të mirë të mundshme stilin e shkëputjes, teksa në provën e parë realizon 152 kilogram. Edhe në të dytën është i suksesshëm, teksa me shumë elegancë realizon 154 kilogram. Dhe në të tretën 156 kilogram, aq sa mjafton për të qenë medalist i artë në shkëputje.

Në formë dhe mbështetur fort edhe nga trajneri Geraldi Toska, apo dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar, Calja ngre në shtytje 182 kilogram. Më pas 186 kilogram, por në të tretë, që do t’i jepte dhe dy medalje të arta, rrëzon shtangën me 190 kilogram. I dyti në shtytje, por i dyti dhe në dygarësh me 342 kilogram, ndërsa kampion bote në këtë peshë ishte indoneziani Ervin Rahmat Abdullah, që në shtytje merr medaljen e artë me 192 kilogram, si dhe në dygarësh, po të njëjtën medalje, me 343 kilogram.

Ndërkohë në të njëjtën peshë ishte dhe Erkand Qerimaj, i cili është djegur nga medalja e bronztë në shkëputje, sepse e ka realizuar 153 në tentativën e dytë, ndryshe nga rusi Petrov, që e realizoi në provën e tretë pa vështirësi. 150 kilogram në shkëputje dhe vendi i katërt. Në shtytje në provën e parë nuk realizon 180 kilogram, të cilën e realizon në tentativën e dytë.

Dhe në të tretën nuk ngre dot 183 kilogram. Përfundimisht i katërti në shtytje dhe po i katërti në dygarësh me 333 kilogram. Në këtë mënyrë shpatullat e Briken Caljes kanë nderuar peshëngritjen shqiptare, ndërsa të hënën është radha e Krenar Shorajt dhe Daniel Godellit, në Baterinë B të peshës 89 kilogram, për të mbyllur këtë Botëror për shtangën kuqezi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme