Bundestagu miraton kufizime për rritjen e çmimeve të karburanteve, gjoba deri në 100 mijë euro për shkelësit

Europë | 7 muaj më parë

Bundestagu gjerman miratoi sot, më 26 mars, një paketë masash të reja për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, si reagim ndaj rritjes së fortë të tyre për shkak të luftës në Iran.

Sipas ligjit të ri, stacionet e benzinës do të mund të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, në orën 12:00 të mesditës, ndërsa uljet lejohen në çdo moment.

Shkelësit do të përballen me gjoba deri në 100 mijë euro.

Masat përfshijnë edhe shtrëngimin e legjislacionit antitrust, duke detyruar kompanitë e naftës të justifikojnë objektivisht çdo rritje të ndjeshme të çmimeve.

Autoriteti Federal Anti-Kartel do të ketë kompetencë të ndërhyjë menjëherë në tregun me shumicë për të ndaluar abuzimet.

Ligji u mbështet nga partitë e koalicionit qeverisës CDU/CSU, SPD dhe të Gjelbrit, megjithëse këta të fundit paralajmëruan se masa mund të rrisë varësinë nga lëndët djegëse fosile.

Ndërkohë, E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) votuan kundër, duke e cilësuar paketën si një “simulim” masash. Këshilli Federal pritet ta miratojë nesër, në mënyrë që rregullat e reja të hyjnë në fuqi në fillim të prillit. Paketa do të rishikohet pas një viti.

Qeveria gjermane po përgatit edhe masa shtesë, si ulja e TVSH-së në stacionet e karburantit, vendosja e një takse mbi fitimet e tepërta të kompanive të energjisë dhe mundësia e kufizimit të çmimeve ose uljes së tarifave për kamionët. Ministrja e Ekonomisë, Katerina Reiche, deklaroi se është e hapur edhe për një rritje të përkohshme të pagesës për udhëtimin, e cila aktualisht është 38 cent për kilometër.

“Është e rëndësishme t’u dërgojmë një mesazh atyre që varen nga makinat e tyre,” tha Reiche, duke shtuar se po diskutohet edhe një ulje e mundshme e taksës së energjisë elektrike për të gjithë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme