Bursa bujqësore, Salla: Fermerët do të kenë më shumë informacion dhe fuqi negociuese

Ekonomi | 2 muaj më parë

Ministri i Bujqësisë, Andi Salla, prezantoi nismën për ngritjen e bursës bujqësore, një mekanizëm që synon të rrisë transparencën dhe konkurrencën në treg. Përmes kësaj platforme, blerësit me shumicë do të deklarojnë produktin, sasinë, cilësinë dhe çmimin që ofrojnë.

Fermerët do të kenë mundësi të shohin dhe të krahasojnë ofertat, duke zgjedhur alternativën më të leverdishme për prodhimin e tyre.

“Ky është një hap drejt një tregu më transparent, më të organizuar dhe më konkurrues, ku fermeri ka më shumë informacion dhe fuqi për të negociuar”, tha ministri.

Salla tha se nisma synon t’u japë fermerëve më shumë informacion dhe fuqi negociuese përballë blerësve. Sipas tij, kalimi nga një ofertë e vetme te disa alternativa krijon mundësi për çmime më të drejta dhe më konkurruese.

“Blerësit me shumicë do të deklarojnë çfarë produkti kërkojnë, në çfarë sasie, me çfarë cilësie dhe me çfarë çmimi janë të gatshëm ta blejnë. Ndërsa fermeri do të ketë mundësinë të shohë ofertat, t’i krahasojë dhe të zgjedhë atë që i leverdis më shumë. Pra, kalojmë nga ‘sa është çmimi’, te ‘kush po e blen’ dhe ‘cila është oferta më e mirë”, tha Salla.

Bursa bujqësore synon të jetë një hap i ri drejt një tregu më të organizuar dhe më të fortë për fermerin shqiptar.

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme