‘Çështja e detit’, Meta i përgjigjet Dendias: S’kam penguar dërgimin në Hagë! Rama asnjë kërkesë për kryesimin e negociatave

Politikë | 4 vite më parë

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili, pas vizitës në Tiranë, deklaroi në një media greke se çështja e kufirit detar Greqi-Shqipëri ka mbetur pezull për shkak se Presidenti nuk i kishte dhënë autorizimin përkatës kryeministrit.

Në një konferencë për mediat, Meta tha se një gjë e tillë është e pavërtetë, teksa theksoi se, sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk ka bërë asnjë kërkesë për t’u pajisur me autorizimin për kryesimin e negociatave me Greqinë.

“Ajo që ka thënë ministri grek që Presidenti nuk i ka dhënë autorizim kryeministrit është tërësisht e pavërtetë. Nuk ka patur asnjëherë asnjë kërkesë për autorizim nga kryeministri për këtë çështje”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se i ka kërkuar kryeministrit Rama më shumë se njëherë që të paraqiste kërkesë për të kryesuar negociatat me Greqinë, por shton se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kreu i qeverisë.

“Në takim u dakordësua që kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociata me shtetin grek. Presidenti, duke konstatuar se kryeministri nuk po i përmbahej zotimeve dhe nuk po merrte asnjë hap në këtë drejtim, rikërkoi ndërhyrjen e kryeministrit pa vonesë. Sërish nuk pati reagim nga kryeministri, asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqitë. Në mungesë të pajisjes me autorizim për të negociuar, i rikërkoj kryeministrin ndërhyrjen e tij në mënyrë që negociata të udhëhiqeshin nga kryeministri. Sërish nuk pati asnjë reagim. Nga kryeministri nuk është përcjellë asnjë kërkesë për pajisje me autorizim dhe asnjë informacion në lidhje me negociata me shtetin grek.  Nuk jam në dijeni nëse mes dy qeverive është rënë dakord për të pezulluar apo dalë nga negociatat. ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët ende zyrtarisht janë në negociata”, u shpreh Meta.

Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që zgjidhja e çështjes së kufijve detarë dhe përcaktimit të Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës, por ende asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme