“Çfarë pa kryeshërbëtorja” ngjitet në TK, regjisori Kiço Londo sjell komedinë me humor therës

Kulturë | 1 vit më parë

Një punonjës hoteli përfshihet në lojërat absurde dhe skizofrenike të një psikiatri, një sekretare e zhveshur fshihet pas perdes, ndërsa një profesor me fantazi të çuditshme prish çdo pritshmëri. Papritur, një polic hyn në skenë dhe sjell me vete një tjetër përmbysje.

Komedia therëse “Çfarë pa kryeshërbëtorja” e Joe Orton vjen në skenën e Teatrit Kombëtar si produksion i Teatrit “Skampa”, me një kast të përbërë nga aktorët Helidon Fino, Egla Ceno, Linda Jarani, Ëngjëll Hoxha, Mario Elezi dhe Livion Aliaj.

Me shumë ironi e humor, shfaqja eksploron pasionet, shpërdorimin e autoritetit, marrëdhënie të ndërlikuara dhe çmendurinë kolektive që na përfshin si shoqëri. Kaosi që përshkon gjithë veprën është një reflektim për brishtësinë e lidhjeve njerëzore dhe dobësitë e individit.

“Është një produksion që ka pasur shumë sukses në Elbasan dhe po ndiqet me të njëjtin sukses edhe në Tiranë. Është një komedi thellësisht angleze, një komedi e egër, nazelie, e butë, gjithëpërfshirëse, shumë e shpejtë – me një shpejtësi marramendëse – dhe që ka në thelbin e saj një kaos, i cili përkon mjaft mirë me kaosin me të cilin po udhëton Shqipëria në këtë tranzicion të zgjatur,” thotë regjisori i shfaqjes, Kiço Londo.

Komedia “Çfarë pa kryeshërbëtorja” do të ngjitet në skenë edhe sonte në mbrëmje.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme