Champions League për femra/ Vllaznia dhe Apolonia nisin nesër rrugëtimin në Europë

Vllaznia dhe Apolonia janë gati të nisin rrugëtimin e tyre në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League, ku do të synojnë kualifikimin në fazën e tretë të kompeticionit më prestigjioz europian për klube.
Vllaznia do të zbresë nesër në fushë për ndeshjen gjysmëfinale të Grupit 6, ku do të përballet me kampionet e Sllovakisë, Spartak Myjava. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Stelios Kyriakides”, duke nisur nga ora 20:30.
Në gjysmëfinalen tjetër të Grupit 6 do të përballen skuadra qipriote Apollon Ladies dhe kampionet e Polonisë, Czarni. Nëse kalon me sukses Spartak Myjava, Vllaznia do të luajë finalen e grupit përballë fitueses së këtij çifti, me objektivin për të siguruar një vend në raundin e tretë të UEFA Women’s Champions League.
Edhe Apolonia do të nisë nesër aventurën e saj europiane në raundin e dytë. Skuadra fierake do të përballet në gjysmëfinalen e Grupit 2 me kampionet e Suedisë, Hammarby. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Pozzo-Lamarmora” në Itali, në orën 15:30.
Në rast kualifikimi, Apolonia do të luajë finalen e Grupit 2 ndaj fitueses së çiftit Juventus–SCU Torreense, ku do të diskutohet bileta për në raundin e tretë të UEFA Women’s Champions League.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




