Çmimet e larta të apartamenteve nuk ndalen, turistët dhe emigrantët rrisin kërkesën

Ekonomi | 1 vit më parë

Tregu i pasurive të paluajtshme duket se nuk do të njohë ulje çmimesh as gjatë 5 viteve të ardhshme, si për blerje, ashtu edhe për qira.

Sipas agjentëve imobiliarë, trendi i kërkesave për apartamente është në rritje, veçanërisht nga turistët dhe emigrantët që rikthehen në vend për të investuar ose për të jetuar përkohësisht.

“Sa i takon tregut imobiliar, nuk mendoj se për 3 deri në 5 vitet e ardhshme do të ketë ulje çmimesh. Kjo për shkak se ende ka kërkesë të mjaftueshme sa i përket blerjes së pronave. Vitet e fundit ka filluar të ketë goxha interesim për blerjen e pronave nga emigrantët, pasi mendojnë që në një moment të dytë do të rikthehen,” tha agjentja imobiliare.

“Nuk mund të themi që ka ndryshime të ndjeshme, por duke parë trendin aktual të tregut, mund të themi se jemi drejt rritjes së çmimeve dhe jo uljes. Zhvillimi i turizmit dhe influencat e huaja që vijnë në Shqipëri po ndikojnë trendin e rritjes së çmimeve,” u shpreh eksperti i tregut..

Në të njëjtën kohë, konsulentët e tregut theksojnë se rritja e çmimeve është ndikuar edhe nga kërkesa në rritje që ka pasur tregu gjatë muajve të fundit.

“Ajo që dua të theksoj është fakti që ne hasemi çdo ditë me kërkesën që kanë pronarët në vendosjen e çmimeve. Patjetër që kjo bëhet me negocim nëpërmjet agjencisë, por ka një tendencë nga ana e tyre që çmimi të jetë pak më i lartë,” tha agjentja imobiliare.

Sipas ekspertit të tregut, Albert Merdanaj, nuk ka një trend uljeje të çmimeve në apartamente, si për blerje ashtu edhe për qira.

“Qiraja është gjithmonë në trend rritës, sidomos vitet e fundit, ku turizmi ka bërë pjesën e vet. Absolutisht që ka një kërkesë të jashtëzakonshme,” deklaroi ai.

Agjentët imobiliarë i bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve në rrjetet sociale, ku shpesh reklamohen apartamente me çmime shumë të ulëta, që nuk përputhen me realitetin.

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme