CNN, MS NOW dhe Politico padisin administratën Trump për ndalimin nga Shtëpia e Bardhë

Botë | 42 minuta më parë

CNN, MS NOW dhe Politico kanë vendosur që të padisin administratën e presidentit Donald Trump, pasi iu refuzua aksesi në Shtëpinë e Bardhë. Ndalimi u njoftua të premten nga vetë Trump, që akuzoi tre organizatat mediatike për publikim të sajesave dhe gënjeshtrave rreth qeverisjes së tij.

Kompanitë thonë se gazetarëve të tyre iu ndalua hyrja dhe iu morën kartat identifikuese kur u përpoqën të hynin të shtunën në ndërtesë.

Në një deklaratë të përbashkët publikuar të hënën, tre mediat u shprehën se, në mbrojtje të të drejtave që rrjedhin nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës dhe në mbrojtje të parimit që nuk është qeveria ajo që vendos se çfarë duhet të raportojë apo publikojë shtypi, kishin njoftuar qeverinë federale se do të ngrinin padi ndaj saj.

Amendamenti i Parë ndalon qeverinë që të kufizojë lirinë e shtypit, një formulim që gjykatat e kanë interpretuar tradicionalisht si ndalim të diskriminimit nga qeveria të mediave bazuar mbi përmbajtjen e mbulimit të tyre.

“Pa ndonjë njoftim apo proces, Shtëpia e Bardhë iu hoqi gazetarëve tanë kredencialet pasi është kundër raportimit tonë. Nëse nuk sfidohet, kjo kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për një gazetari të pavarur dhe të lirë nga ndërhyrja e qeverisë”, theksohet në deklaratën e CNN, MS NOW dhe Politico.

Por presidenti amerikan argumentoi se, me ndalimin e aksesit të tre mediave në Shtëpinë e Bardhë, nuk po institucionalizohej ndonjë sulm ndaj shtypit të lirë, por ndaj atij që shpërndan lajme të rreme, që sipas tij, po përhapet si kancer në shoqërinë amerikane.

“Ky kancer përbën një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare dhe duhet të ndalet”, theksoi Trump në një postim në rrjetin e tij social Truth Social.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme