Corrado Saccone, italiani i hidhëruar i Partizanit

Ka lindur në Milano, me një eksperiencë të rëndësishme te Napoli dhe prej shumë vitesh një nga njerëzit kyç të Partizanit. Corrado Saccone, përgatitësi atletik i të kuqve, është një nga të shumtët profesionistë që kanë kaluar Adriatikun për të punuar me futbollin në Shqipëri. Ai, ashtu si shmë italianë të tjerë, sigurisht që e kanë përjetuar me jo pak nota damatike dorëzimin e të kaltërve në Palermo ku morën një shuplakë nga Maqedonia e Veriut.
“Si italian, është normale që të jem disi i mërzitur pasi nuk do ta shikojmë Italinë në Botëror. Nëse është hera e dytë që nuk siguron dot kualifikimin për në Botëror, ndoshta një arsye ka dhe ndoshta federata duhet të rishikojë programin e saj sepse nuk është e mundur që një komb i rëndësishëm të mos marrë pjesë në botëror dhe kjo situatë më kujton atë me Korenë gjysmë shekulli më parë. Ka diçka që nuk funksionon, nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë fati”.
8 vite pa marrë pjesë në një Kupë Bote. Sa e rëndë mund të jetë kjo për një popull që futbollin e ka ushqim të përditshëm?
“Tetë vjet do të thotë se janë shumë për një kombëtare me rezultate të rëndësishme në të shkuarën. Është e vërtetë që niveli i futbollit botëror është rritur por edhe niveli i Italisë duhet të rritet gjithashtu. Ndoshta do të na bënte mirë një dozë përulësie. Nëse trendi do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë do ta kemi të vështirë të kualifikohemi edhe në kampionatet e ardhshme botërore”.
Saccone, prej vitesh një nga specialistët më të mirë të përgatitjes atletike, përpiqet të analizojë shkaqet e disfatave të Italisë në vitet e fundit.
“Ka shumë shkaqe, nuk është thjesht çështje taktike apo fizike. Ndoshta edhe në aspektin e përgatitjes fizike ka probleme. Ndoshta federata duhej të kishte ndërtuar një kalendar disi më të ndryshëm për të mos lodhur fizikisht lojtarët në prag të një faze të rëndësishme play off që vlen shumë. E theksoj që ndoshta në këtë aspekt, menaxhimi ka qenë disi i mangët. Zgjedhjet në sulm kanë qenë edhe të kushtëzuara pjesërisht. Ndoshta me Chiesën e dëmtuar mund të kishim bërë më shumë, mund të flas edhe për Balotellin që gjithsesi ka probleme karakteri. Nuk shikoj të rinj italianë që të rriten në fushat e futbollit. Nëse shumë lojtarë në Europë rriten dhe bëhen të rëndësishëm në arenën kontinentale, kjo nuk po ndodh me italianët dhe këtu ka një problem”.
Në fund, Saccone jep mendimin e tij modest edhe për të ardhmen e stolit të kaltër.
“Mancini është një trajner shumë i mirë. Ka bërë shumë mirë në të shkuarën dhe këtu kam parasysh edhe suksesin në europian. Por pas çdo disfate ka vend për reflektim dhe unë personalisht mendoj që duhet të largohet sepse ka diçka që nuk shkon. Skuadrën e ka zgjedhur dhe krijuar ai. Nuk mund të them se është ai që duhet të paguajë por thjesht duhet të hapë krahun”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




