Çuçi pas takimit me Ramën në Vlorë: Mbledhja nuk ishte për vendime, por për të shpjeguar thelbin e Reformës Territoriale

Politikë | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, ku zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Socialiste të Qarkut dhe me përfaqësues të pushtetit vendor të Bashkisë Vlorë dhe Bashkisë Selenicë, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.

Në mbyllje të takimit, drejtuesi politik i PS për Qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, deklaroi pwr median e pranishme se mbledhja nuk kishte si qëllim marrjen e vendimeve, por dëgjimin e qytetarëve dhe shpjegimin e thelbit të reformës.

“Sot nuk ishim për të marrë vendim, sot ishim për të dëgjuar dhe për të shpjeguar. Një takim shumë i domosdoshëm, sepse njerëzit vërtet nuk e kuptojnë deri në fund thelbin e reformës, ku janë përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e investimeve”, u shpreh Çuçi.

Ai shtoi se edhe qytetarë që janë deklaruar kundër reformës morën përgjigje për shqetësimet e tyre, duke e cilësuar mbledhjen si një hap të rëndësishëm për sqarimin e opinionit publik.

“Sot nuk ishim për vendimmarrje, sot isha në rolin e mikpritësit të ministrave përkatës, deputetit përkatës që ka marrë iniciativën dhe kryeministrit, për të dëgjuar njerëzit e Vlorës”, tha Çuçi.

Takimi u konsiderua nga drejtuesi politik i PS në Vlorë si një proces i domosdoshëm për të afruar qytetarët me reformën territoriale dhe për të sqaruar qëllimet e saj, duke theksuar se synimi kryesor mbetet përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e investimeve në nivel vendor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme