Daktilografistja naziste shpallet fajtore për bashkëpunim në vrasjen e 10,500 personave

Botë | 4 vite më parë

Një ish-sekretare që ka punuar për komandantin e një kampi nazist përqendrimi është dënuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10,500 njerëzve.

Irmgard Furchner, 97 vjeçe, u mor si stenografe që kur ishte adoleshente në Stutthof . Ajo punoi atje nga viti 1943 deri në 1945. Furchner, gruaja e parë që u gjykua për krimet naziste në dekada, u dënua me dy vjet burg të pezulluar.

Edhe pse ajo ishte një punëtore civile, gjykatësi pranoi se ajo ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte në kamp.

Rreth 65,000 njerëz mendohet se kanë vdekur në kushte të tmerrshme në Stutthof, duke përfshirë të burgosur hebrenj, polakë jo-hebrenj dhe ushtarë sovjetikë të kapur.

Furchner u shpall fajtore për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 10,505 personave dhe bashkëpunim në tentativën e vrasjes së pesë të tjerëve. 

Meqenëse në atë kohë ajo ishte vetëm 18 ose 19 vjeç, ajo u gjykua në një gjykatë të posaçme për të mitur.

Në Stutthof, që ndodhet pranë qytetit modern polak të Gdanskut, u përdorën një sërë metodash për të vrarë të burgosurit. Mijëra njerëz vdiqën në dhomat e gazit aty që nga qershori 1944.

Gjykata në Itzehoe në Gjermaninë veriore dëgjoi të mbijetuarit e kampit, disa prej të cilëve kanë vdekur gjatë gjyqit.

Kur filloi gjyqi në shtator 2021, Irmgard Furchner u arratis nga shtëpia e të moshuarve dhe u gjet nga policia në një rrugë në Hamburg.

Komandanti i Stutthof, Paul-Werner Hoppe, u burgos në vitin 1955 për ndihmën e dhënë në vrasje, por ai u lirua pesë vjet më vonë.

Një seri ndjekjesh penale janë zhvilluar në Gjermani që nga viti 2011, pas dënimit të ish-rojes së kampit nazist të vdekjes, John Demjanjuk. Kjo krijoi precedentin se të qenit roje ishte provë e mjaftueshme për të provuar bashkëpunimin.

Ky vendim nënkuptonte gjithashtu se punonjësja civile Furchner mund të dilte në gjyq, pasi ajo punonte drejtpërdrejt me komandantin e kampit, duke u marrë me korrespondencën rreth të burgosurve të Stutthof.

U deshën 40 ditë që ajo të thyente heshtjen në gjyq, kur i tha gjykatës “Më vjen keq për gjithçka ka ndodhur”.

“Më vjen keq që isha në Stutthof në atë kohë – kjo është gjithçka që mund të them,” tha ajo.

Avokatët e saj mbrojtës argumentuan se ajo duhet të lirohet për shkak të dyshimeve se ajo mund të kishte dijeni, pasi ajo ishte vetëm një nga disa daktilografiste që ishin në zyrën e Hoppe.

Pas luftës, Furchner u martua me një udhëheqës të skuadrës SS të quajtur Heinz Furchstam, të cilin dyshohet se e takoi në kamp.

Ajo vazhdoi të punojë si punonjëse administrative në një qytet të vogël në Gjermaninë veriore. Burri i saj vdiq në 1972.

Historiani Stefan Hördler luajti një rol kyç në gjyq, duke shoqëruar dy gjyqtarë në vendin ku ndodhej kampi.

Nga vizita u bë e qartë se Furchner ishte në gjendje të shihte disa nga kushtet më të këqija në këtë kamp nga zyra e komandantit.

Historiani tha në gjyq se 27 mjete transporti me 48,000 njerëz mbërritën në Stutthof midis qershorit dhe tetorit 1944, pasi

nazistët vendosën të zgjerojnë kampin dhe të përshpejtojnë vrasjet masive me përdorimin e gazit Zyklon B.

Hördler e përshkroi zyrën e Hoppe si “qendrën nervore” për gjithçka që ndodhi në Stutthof.

Gjatë dëshmisë së tij, ai lexoi provat e siguruara nga bashkëshorti i Furchner-it në vitin 1954, kur ai tha: “Në kampin e Stutthof njerëzit u sulmuan me gaz. Stafi në shtabin e komandantit foli për këtë.”

Kryetari i trupit gjykues Dominik Gross tha se ishte “përtej imagjinatës” që Furchner nuk mund të kishte vënë re tymin dhe erën e keqe të vrasjeve masive: “E pandehura mund të kishte hequr dorë në çdo kohë”.

I mbijetuari i kampit Josef Salomonovic, i cili udhëtoi në gjykatë për të dhënë dëshmi në gjyq, ishte vetëm gjashtë vjeç kur babai i tij u qëllua për vdekje në Stutthof në shtator 1944.

“Ajo është indirekt fajtore,” u tha ai gazetarëve në gjykatë. BBC

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme