Debat në PD, disa deputetë kundër bojkotit të komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale: Të mos i lëmë fushë të lirë Ramës

Politikë | 9 muaj më parë

Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me diskutime, lidhur me strategjinë që opozita duhet të ndjekë ndaj komisioneve të posaçme, konkretisht atij për Reformën Zgjedhore dhe atij për Reformën Territoriale.

Sipas gazetares së RTSH-së, ndryshe nga opsioni i bojkotit, disa prej deputetëve demokratë kanë kërkuar pjesëmarrjen në këto komisione, duke e cilësuar lënien e karrigeve bosh si një dhuratë për mazhorancën socialiste.

Bozdo: Të shfrytëzojmë hapësirën për të “grisur” reformën e PS

Deputeti Eno Bozdo argumentoi se, pavarësisht skepticizmit se PS mund të bëjë çfarë të dojë me votat e saj, PD duhet të jetë aty për të denoncuar. “Ne duhet të shfrytëzojmë pjesëmarrjen tonë për të ‘grisur’ reformën që ata kanë bërë deri më sot. Kemi të gjithë argumentet dhe ekspertizën më të mirë për ta hedhur poshtë atë çka ata kanë bërë,” u shpreh Bozdo, duke shtuar se tërheqja mund të jetë opsion vetëm pasi të jenë shpalosur propozimet konkrete të PD-së.

Zhupa: Qytetarët duan pjesëmarrje

Deputetja Ina Zhupa theksoi se PD nuk duhet të lërë hapësira boshe. Ajo solli në vëmendje kërkesën e bazës dhe qytetarëve për përfaqësim.

“Ata do ta kenë më të vështirë të na kundërshtojnë sepse nuk kanë argumente, por e kanë shumë të lehtë ta kalojnë pa ne, sepse thonë: ‘Ju nuk ishit’. Unë i kam pyetur qytetarët e zonave të mia dhe më thonë: merrni pjesë,” tha Zhupa. Ajo kërkoi që PD të jetë shumëdimensionale: edhe në protesta, edhe në institucione.

Nallbati dhe Shehu: Jo bojkot selektiv

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti Bledion Nallbati, i cili e quajti të pakuptimtë prezencën në Parlament, por bojkotin e komisioneve më të rëndësishme.

“Nëse zgjedhim variantin e bojkotit, të bojkotojmë çdo gjë… duhet të ndajmë mendjen,” tha ai. Nga ana tjetër, Tritan Shehu u shpreh se askush nuk dëshiron bojkot, por qëndrimet ekstreme vijnë si pasojë e mbylljes së dyerve nga mazhoranca.

Në përfundim të diskutimeve, kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri me dije se vendimi përfundimtar mbi qëndrimin që do të mbahet do të merret nga Kryesia e Partisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme