Debate te Konferenca e Kryetarëve/ Rrëzohet kërkesa e opozitës për Komision Hetimor për investimet në rrugë. Bardhi-mazhorancës: Po bllokoni kontrollin parlamentar

Politikë | 7 muaj më parë

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku në qendër të diskutimit ishte kërkesa e demokratëve për komision hetimor për kontratat koncesionare dhe tenderat për ndërtimin e rrugëve.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kundërshtoi argumentin se kontratat janë objekt i drejtësisë dhe për këtë arsye nuk mund të hetohen nga Parlamenti.

“Argumenti se kontratat janë subjekt i drejtësisë dhe se nuk mund të ketë komision hetimor nuk qëndron. Gjykata Kushtetuese, në një vendim të saj të vitit 2014, shprehet se fakti që organet e tjera kushtetuese përmbushin detyrat e veta nuk mund të shërbejë kurrsesi si argument për të refuzuar ushtrimin e detyrave nga Parlamenti”, u shpreh Bardhi.

Ai theksoi se qëllimi i opozitës nuk është të zëvendësojë organet e drejtësisë, por të ushtrojë kontroll parlamentar.

“Ne nuk po kërkojmë të bëjmë punën e prokurorisë, por të verifikojmë kontratat, të konstatojmë problematika, qoftë edhe për mënyrën se si funksionojnë institucionet, dhe të bëjmë propozime ligjore”, deklaroi ai.

Sipas Bardhit, ngritja e komisioneve hetimore është një detyrim kushtetues për Kuvendin.

“Dhe e përsëris, ju e keni detyrim kushtetues ngritjen e komisioneve hetimore. E vetmja çështje ku ju mund të pretendoni është objekti, formulimi i objektit. Ne jemi të hapur për propozimin tuaj në lidhje me objektin, nëse keni. Por nuk dëgjova që ju keni një formulim alternativ”, shtoi ai.

Debati u ashpërsua më tej në përplasjen me nënkryetaren e Kuvendit, Klodiana Spahiu, ku Bardhi hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës.

“Është e rëndë të vini e të shpifni këtu. Nuk ka asnjë rast të deputetit të opozitës që flet dhe punon kundër integrimit. Por, ndryshe nga ju, ne nuk bëhemi mburojë e korrupsionit. Ne themi: po, hiqini imunitetin zëvendëskryeministres së akuzuar për abuzime prej 1.1 miliardë euro. Ju thoni jo!”, u shpreh Bardhi.

Ai ngriti pyetje mbi qëndrimin e mazhorancës ndaj procesit të integrimit europian.

“Kush po e pengon dhe kush është kundër procesit të integrimit? Është opozita apo ju që ngrini kartonin e kuq ndaj prokurorisë?”, tha ai.

Duke iu referuar progres-raportit, Bardhi akuzoi shumicën për kufizim të rolit mbikëqyrës të Parlamentit.

“Çfarë thotë progres-raporti? Parlamenti pengohet nga mbikëqyrja e kufizuar e ekzekutivit. Pra, kush po e pengon? Ne që kërkojmë kontroll parlamentar apo ju që votoni kundër kontrollit?”, deklaroi ai.

Në vijim, ai akuzoi mazhorancën për moszbatim të vendimeve të Gjykata Kushtetuese.

“Kush nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Kemi qenë ne apo ju? Keni qenë ju që keni ngritur dy herë kartonin e kuq kundër Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

Në përfundim, Konferenca e Kyretarëve e ka rrëzuar kërkesën e demokratëve për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet në akset rrugore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme