“Defender 25” zbarkon në Durrës. Inskenohet pushtimi i anijes, stërvitje e përbashkët me amerikanët
Në kuadër të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 25”, në ujërat territoriale të Durrësit u zhvillua një operacion i simuluar detar, rreth 6 milje larg portit.
Në këtë skenar morën pjesë anije të Flotës Detare Shqiptare – “Lissus”, “Oriku” dhe “Semani” – si dhe dy anije amerikane dhe dy helikopterë “Cougar” të Forcës Ajrore.
Për herë të parë, Shqipëria angazhoi në këtë stërvitje dronët e saj pa pilot, apo siç njihen ndryshe dronët Bajraktar, të cilët siguruan pamje në kohë reale për Komandën e Brigadës në Zall-Herr.

Në thelb të demonstrimit ishte një incident i simuluar, ku forcat detare shqiptare dhe amerikane ndërhynë ndaj një anijeje të dyshuar që po largohej nga ujërat territoriale pa leje. Këto ndërhyrje u kryen nga ajri dhe deti, si dhe u monitoruan nga droni Bajraktar.
Nënadmirali dhe Komandanti i Forcës Detare, Adnand Agastra, deklaroi se kjo stërvitje përbën një demonstrim të qartë të bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe të rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë rajonale.

“Elementet e sigurisë janë realizuar të gjitha me sukses. Jam krenar për profesionalizmin jo vetëm të forcave të mia dhe të trupave të Forcës Detare, por siç e patë ndërveprimin me Forcat Ajrore, helikopterët, por edhe me forcat speciale, të cilat bënë zbarkimin në anije dhe marrjen në kontroll të saj sipas skenarit. Të gjitha detyrimet dhe veprimet taktike përfunduan në mënyrën më të mirë të mundshme,” u shpreh për RTSH, nënadmirali dhe komandanti i Forcës Detare, Adnand Agastra.
Në bordin e anijes shqiptare “Oriku”, përfaqësues të medieve ndoqën nga afër koordinimin e veprimeve.

Kjo stërvitje e përmasave të mëdha është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të garantuar sigurinë kolektive dhe për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve aleate në përballimin e sfidave.
Gazetar: Klodian Frroku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




