Demokratët kujtojnë Azem Hajdarin 28 vite pas vdekjes, Noka: Idealet e tij, frymëzim për PD
Azem Hajdari mungon familjarëve, miqve, Partisë Demokratike prej 28 vitesh. Ai hyri në politikë si prijës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, e cila gjunjëzoi diktaturën dhe i hapi rrugë pluralizmit politik.
Edhe pse i shkurtër në kohë, rrugëtimi politik i Azem Hajdarit ishte dominues, i njohur për akuza të forta dhe të drejtpërdrejta ndaj kundërshtarit. Këto akuza, sipas Azem Hajdarit dhe PD-së, ishin shkaku që ndaj tij u bënë disa atentate me motive politike, madje edhe në Kuvend, nga ish-deputeti socialist Mazreku.
Por mbrëmjen e 12 shtatorit ’98, Azem Hajdari dhe truproja e tij, Besim Çera, u qëlluan për vdekje pranë ish-selisë blu.
Familjarë dhe drejtues të PD-së zhvilluan homazhe në memorialin e ngritur në nderim të tij, shpallur pas vdekjes “Hero i Demokracisë”.
“Azem Hajdari sot bën apel se ka vetëm një rrugë për të rrëzuar regjimin dhe ajo rrugë është përballja, qëndresa, kryengritja”, tha deputeti i PD-së Flamur Noka.
Azem Hajdari u zgjodh kryetari i parë i partisë së parë opozitare në vend, asaj Demokratike. Më pas ai mbajti pozicione të larta në selinë blu dhe ushtroi detyrën e deputetit deri ditën që u vra.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsha.l/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



