Deni Xhepa: Synoj më të mirën në Pekin

Deni Xhepa, përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, tanimë ka nënshkruar dhe kontratën e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe ka marrë kartën e anëtarësimit me të cilën do të hyjë dhe në Kinë. Për Deni Xhepën, në këtë pjesëmarrje të parë në Lojërat Olimpike, objektivat janë të larta
“Dua të jemë aty, për një medalje, për një Top 30. Është një ambicion shumë i madh”.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka bërë të ditur dhe të gjitha kushtet që i janë krijuar sportistit për një garim të denjë për Shqipërinë
“Komiteti Olimpik ka bërë të mundur që sportisti të përqëndrohet te gara, te paraqitja, për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë dhe ne i kemi bërë të mundur të gjithë bazën material, stërvitjet që ata kanë bërë, njëkohësisht dhe udhëtimin, siguracionin e udhëtimit dhe siguracionin e garës”.
I pari i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, dhe trajneri i Denit, Sildi Xhepa, bëjnë të qartë dhe cilësitë e sportisti, si dhe objektivat që ata kanë për këtë garim në Pekin.
Elvis Toçi: “Deni është vetëm 18 vjeç, është një sportiest që flet me gjuhën e kampionit. Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë sportist të këtij niveli. Është një i ri që shikon vetëm fitoren”.
Sildi Xhepa: “Kemi zgjedhur Federatën shqiptare, Komitetin Olimpik Shqiptar të na ndihmojnë për objektivin që kemi. Objektivi jonë është i lartë, kemi punuar për të”.
Deni Xhepa do të konkurrojë më 13 dhe 16 shkurt në Pekin në disiplinën e skive alpine, sllallom dhe sllallom gjigant, ndërsa skitë shqiptare më pas do të jetë pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror, si dhe në Festivalin Europian Rinor të dimrit në fund të marsit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




