Denoncimet për zgjedhjet e 11 majit, Berisha: Komisionerët e PS-së shtuan votat, zgjedhjet të paligjshme
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi fakte të reja që provojnë, sipas tij, manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Në një qendër votimi në zonën e Peqinit, z. Berisha tha se komisionerët kontrolluan çdo votë, sikundër edhe i hodhën votat bashkë me zgjedhësit. Në këto kushte, kryedemokrati tha se PD-ja nuk do t’i njohë zgjedhjet dhe se beteja për rikthimin e zgjedhjeve të lira do të jetë e gjithanshme.
“Natyrisht beteja do të jetë shumëplanëshe, komplekse. Është një betejë shumë e gjerë, shumë komplekse, por me bindjen tonë më të thellë që do fitohet,” tha z. Berisha.
Ai beson se mbrojtja e lirisë së votës është në dorë të shqiptarëve, megjithatë e çmon si shumë të rëndësishme mbështetjen e faktorit ndërkombëtar përmes rezolutave, ku, sipas tij, evidentohen problematikat e zgjedhjeve të 11 majit.
“Ju e patë se si u shokua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, kur mësoi për ndërhyrjet brutale të kriminelëve Xhabaftë, të ndërsyer nga ministri Gonxhja kundër një zone që po bënte detyrën, kundër një deputeteje,” u shpreh z. Berisha.
Kryedemokrati tha se opozita do të vijojë denoncimet pranë ndërkombëtarëve me misionin për mbrojtjen e vlerave të demokracisë. Në këtë kontekst, ai replikoi me ata që i kanë konsideruar denoncimet dëmtuese të imazhit të Shqipërisë.
“Ata që pretendojnë se qenka e turpshme të denoncosh dhunimin e votës, të denoncosh kartelet e drogës, ata janë turpi i turpit të njeriut dhe turpi i turpit të Shqipërisë dhe kjo opozitë nuk do jetë kurrë e tillë,” deklaroi ai.
Berisha tha se 11 Majit ishte farsë, duke lënë të kuptohet se nëse zgjedhjet do të ishin të lira, ai do t’i përmbahej statutit që parashikon dorëheqjen e kryetarit të partisë në rast se humb zgjedhjet.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




