Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikon dosjet e redaktuara mbi Jeffrey Epstein, pjesë edhe figura të njohura

Botë | 11 muaj më parë

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur publikimin e të dhënave dhe dokumenteve të hetimeve në lidhje me çështjen e ish-financierit Jeffrey Epstein, i cili vrau veten në burg pasi u akuzua për trafikim të vajzave minorene me qëllim shfrytëzimin seksual.

Mes fotove të shumta të personave që besohet se ishin pjesë e qarkut social të Epstein, shfaqet edhe ish-presidenti demokrat Bill Clinton, si dhe figura të njohura si këngëtarët Mick Jagger, Michael Jackson dhe Diana Ross.

Ndonëse të paturit një marrëdhënie në të shkuarën me Epstein nuk tregon se një nga figurat e përmendura apo që ka dalë në foto me të të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar. Shumë nga ata që janë identifikuar në dosjet e publikuara të premten, si edhe më parë, kanë mohuar të jenë përfshirë në ndonjë aktivitet të jashtëligjshëm.

Në disa nga fotot e publikuara duket edhe ish-presidenti Clinton. Në një prej tyre ai shfaqet në një pishinë duke notuar, ndërsa në një tjetër i shtrirë në një vaskë. Clinton u fotografua disa herë me Epstein përgjatë viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, para se financiari të arrestohej për herë të parë. Në asnjë rast nuk është akuzuar nga ndonjë e mbijetuar e abuzimit të Epstein.

Një zëdhënës i Clinton u shpreh se fotot ishin shumë të vjetra dhe e gjithë kjo histori nuk kishte lidhje me të.

“Ka dy lloje njerëzish. Grupi i parë nuk ishte në dijeni të aktiviteteve të Epstein dhe ndërprenë marrëdhëniet me të para se krimet e tij të dilnin në dritë. Ndërsa grupi i dytë vijoi lidhjet me financierin. Ne ishim tek grupi i parë. Të gjithë, veçanërisht MAGA, presin përgjigje,” theksoi zëdhënësi, duke iu referuar mbështetësve të presidentit Donald Trump.

Ky i fundit përmendet në dosje, ku raportohet se Epstein kishte prezantuar një vajzë 14-vjeçare me të në resortin Mar-a-Lago të Floridës rreth viteve ’90. Vajza ndërkohë ka raportuar se është abuzuar për vite të tëra nga Epstein, por ndaj Trump nuk ka bërë asnjë akuzë.

Dosjet që u publikuan të premten ishin të redaktuara dhe fytyrat e vajzave që mendohet se kanë qenë viktima të Epstein janë mbuluar me të zezë, në mënyrë që të mos preket privatësia e tyre. Departamenti i Drejtësisë do të publikojë pjesën e mbetur të dosjeve brenda një periudhe 30-ditore, siç parashikohet nga një legjislacion i miratuar së fundmi dhe që është firmosur nga Trump.

Jeffrey Epstein vrau veten në një burg të Nju Jorkut në gusht të vitit 2019, ndërsa ishte në pritje të gjyqit ku akuzohej për trafikim të qenieve njerëzore për qëllime seksuale.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme