Deputeti i PD, Shehaj: I gjithë projekti i ndërtimeve në Durrës është një skemë mashtrimi

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, ka vijuar akuzat për projektin e Portit të Durrësit të miratuar tashmë në Kuvend.
Sipas tij, ndërtimet e pallateve në Portin e Durrësit janë projekt personal i Mohamed Alabarit, i cili shërben si fasadë edhe për përfituesit e tjerë nga këto ndërtime dhe se të gjitha pretendimet që Rama dhe Alabar bëjnë me Emaar dhe Eagle Hills të Abu Dabit, “janë mashtrime “kokë e këmbë””.
“Eagle Hills Real Estate Development sh.p.k, me të cilën ka bërë kontratën qeveria Rama, nuk ka asnjë lidhje pronësore, juridike apo financiare me Emaar Group apo me Eagle Hills Development të Abu Dabit. Eagle Hills në Shqipëri me kapital 10 mijë lekë është kompani guackë (pra, kompani pa aktivitet dhe pa kapital), në pronësi të një kompanie guacke (North Hill), e cila edhe kjo është në pronësi të një tjetër kompanie guackë (Symphony Global), që është edhe kjo në pronësi të një tjetër kompanie guackë (Symphony Investment). Ky zinxhir katër kompanish guackë njëra pas tjetrës është tipik për skemat e pastrimit të parave apo riciklimit të parave të korrupsionit apo krimit.”- shkruan Shehaj në postimin e tij.
Sipas tij, edhe pse ka bërë marrëveshje me kompani guackë, pa asnjë kapital dhe aktivitet, qeveria Rama nuk ka asnjë dokument zyrtar se kush janë pronarët fundorë të këtyre kompanive guackë, duke u mjaftuar me një deklaratë personale të formulaur në mënryë aspak profesionale dhe pa vlere të Mohamed Alabarit, i cili ka deklaruar se është ai dhe familja e tij pronarë të kompanive guackë: deklaratë e bërë në një copë letër vetëm me firmë, pa asnjë element zyrtar (kokë, vulë) dhe pa asnjë certifikim (noterizim dhe apostile).
Shehaj nënvizon se i gjithë projekti i ndërtimeve në Durrës është një skemë mashtrimi për të vjedhur tokën publike për të ndërtuar me para të korrupsionit dhe të krimit, nën fasadën e Mohamed Alabarit, i cili do fitojë qindra miliona euro pa rrezikuar asnjë qindarkë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



