Deputetja Sara Mila viziton Prishtinën për të fuqizuar bashkëpunimin rinor dhe lidhjet ndërparlamentare

Deputetja e Partia Socialiste, Sara Mila, ka zhvilluar një vizitë pune në Prishtinë, ku u prit nga deputeti i opozitës Besnik Tahiri, përfaqësues i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Takimi u fokusua jo vetëm në njohjen me funksionimin institucional të Kuvendit, por edhe në një shkëmbim idesh mbi rolin që duhet të luajnë parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës në fuqizimin e të rinjve dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Të dy deputetët u ndalën edhe në iniciativën “EUth Balkans”, ku deputeti Tahiri shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm, me synimin për ta kthyer energjinë dhe potencialin e të rinjve në politika konkrete, projekte të përbashkëta dhe në platforma reale vendimmarrjeje.
“Ky takim ishte një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërparlamentare dhe një sinjal i qartë se sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë dhe të ardhmen europiane të rajonit tonë, ne duhet të jemi gjithmonë bashkë. Rinia shqiptare në Tiranë, Prishtinë apo kudo në rajon, nuk ka nevojë vetëm për fjalë motivuese, por për ura konkrete bashkëpunimi dhe mbështetje institucionale”, deklaroi deputetja Mila.
Ndërkohë që në kuadër të kësaj nisme deputetja Mila së bashku me Gjergji Ogrenin, këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ernest Thanasin, ekpert në çështjet e politikës zhvilluan një takim me të rinjtë e shkollës “European School of Kosovo”, ku në fokus ishte pikërisht roli dhe bashkëpunimi i strukturave rinore në ndërtimin e platformave politike rajonale.
Ndalesa me të rinjtë e Prishtinës në kuadër të turit rajonal EUth Balkans, vjen pas takimit në Preshevë, ku qëllimi kryesor mbetet forcimi i dialogut politik me të rinjtë e Ballkanit Perëndimor dhe përfshirja aktive e tyre në proceset vendimmarrëse dhe integrimin europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




