Derb kosovar në Kupën e Pavarësisë

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Derb kosovar në finalen e Kupës së Pavarësisë në volejboll për femra, që ka nisur të premten pasdite në Palestrën Sportive Lagja “Marigona Rezidencë” në Rahovec. M.Teknolozhie e Prishtinës dhe Drita e Gjilanit do të vihen përballë njëra-tjetrës të dielën në ora 15:30, ndërsa dy skuadrat kosovare kanë përballuar mirë Tiranën dhe Vllazninë. Për skuadrën nga Prishtina, M.Teknolozhie ka qenë një fitore e vështirë përballë Tiranës së Amarilda Prengës.

Skuadra kosovare, edhe duke marrë dy sete njëherazi, 25-22 dhe 25-19, duket sikur e kishte vënë ndeshjen në baza të shëndosha. Por Tirana është shkundur dhe fiton dy sete njëra pas tjetrës, 25-20 dhe 25-17, dhe barazon në 2-2. Por në finale gjithçka ka folur për M.Teknolozhie, e cila ka fituar 15-9 dhe krejt ndeshjen 3-2. Tjetër gjë në duelin mes Dritës së Gjilanit dhe Vllaznisë. Diferencat janë të dukshme në fushën e lojës, ndërsa Drita ka fituar setin e parë 25-15 dhe të dytin 25-14.

Në të tretin është zgjuar skuadra shkodrane, e cila ka fituar 25-21. Por i katërti është përsëri nën dominimin e Dritës së Gjilanit, që triumfon 25-15 dhe fiton 3-1. E shtuna do të jetë për gjysmëfinalet e meshkujve, atje ku Drita e Gjilanit do të vihet përballë Tiranës në ora 16:30, kurse Erzeni në ora 19:00 do të sfidojë skuadrën nga Ferizaj.

Finalja e meshkujve do të luhet të dielën në ora 13:00 dhe si kjo ndeshje, ashtu dhe finalja e femrave do të vijnë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar dhe në Radio Televizionin e Kosovës, kurse Kupa e Pavarësisë është një shkëmbim i mirë eksperiencash në volejboll mes dy shteteve të një gjaku e të një flamuri.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme