Detaje të reja nga atentati në Sarandë, autorët dyshohet se u larguan me skaf. I plagosuri: Nuk i identifikoj dot
Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e së premtes në Sarandë, ku mbeti i plagosur 50-vjeçari Thimjo (Sandri) Rubati. Autorët e dyshuar, të cilët lëviznin me një motomjet dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin, kanë ardhur nga rruga “Mit’hat Hoxha”, në drejtim nga stadiumi drejt portit.
Sipas burime, ata kanë qëlluar në drejtim të Rubatit me një armë zjarri pistoletë të kalibrit 9 mm, duke shkrepur 9 plumba. Pas sulmit, autorët janë larguar përgjatë të njëjtit itinerar, në drejtim të zonës së plazheve pranë Baba Rexhepit. Hetuesit dyshojnë se më pas autorët mund të jenë larguar me skaf, ndërsa motomjeti i përdorur në atentat nuk është gjetur ende, çka ngre dyshimet se është marrë me vete për të humbur gjurmët.
Burimet bëjnë me dije se Rubati ka qenë i vetëdijshëm pas ngjarjes, por nuk ka mundur të identifikojë autorët, pasi ka deklaruar se nuk i njihte personat që e qëlluan.
Ai ka marrë tre plagë nga armë zjarri dhe ndodhet në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Emri i Thimjo (Sandri) Rubatit nuk është i panjohur për policinë. Sipas të dhënave, ai është arrestuar në vitin 2002 për trafikim të të miturve dhe në vitin 2012 për rrëmbimin e një vajze 16-vjeçare.
Ndërkohë, forcat e policisë kanë vijuar kontrollet gjatë gjithë natës, ndërsa hetimet dhe kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar vazhdojnë.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




