“Dezinformimi”, Mediu: Komision për ndërhyrjet keqdashëse. Çuçi: Kërkuam bashkëpunim me partnerët perëndimorë

Teksa Parlamenti voton këtë të enjte (11 prill) për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka kërkuar që të ketë një komision për ndërhyrjet keqdashëse në sistemin demokratik.
Mediu sqaroi se për propozimin e tij, i është referuar vendeve të tjera të cilat e kanë parë dezinfomrimin në një gamë më të gjerë dhe më gjithpërfshirëse.
“Do i kërkoja kolegëve ta shohin në masë më të gjerë se sa thjesht dezinfomrimi. Që është një nga elementët e ndërhyrjes keqdashës. Të ketë një komision për ndërhyrjet keqdashëse në sistemin demokratik. Do vlerësoja pjesëmarrje të drejtë nga të gjitha përfaqësitë parlamentare në kuvendin dhe në marrëdhënie të ngushtë me aktorët e medias.
Nëse do ketë mundësi për ta vlerësuar do ishte jashtëzakonisht pozitive. E them këtë edhe nga praktika e vendeve të tjera ka ecur në gamë më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse nga aktorë të cilët stimulojnë apo veprojnë drejtpërdrejtë në luftën kundër demokracive dhe sigurisë së vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së”, tha Mediu.
Kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi bëri me dije se kanë kërkuar bashkëpunime me partnerët perëndimor dhe se objekti është i gjerë.
“Komisioni ka marrë emrin nga komentet që janë bërë sepse në shtjellimin që i kemi bërë kërkesës, është qartë që objekti është i gjerë. E përmbledh të gjithë dhe ne kemi kërkuar të kemi bashkëpunime me të gjithë partnerët tanë perëndimor. Besoj se kjo është ezauruar dhe përmban qoftë të titull dhe qoftë në kërkesë”, tha Çuçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




