Dezinsektimi në Shkodër – Mushkonjat, shqetësim në Velipojë dhe në zonat urbane
Procesi i dezinsektimit në territorin e Bashkisë Shkodër për vitin 2025 po zhvillohet sipas planit të paracaktuar. Këtë e konfirmojnë specialistët e sektorit përkatës pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit dhe Kujdesit Shëndetësor.
Deri më tani janë realizuar katër trajtime, të cilat kanë nisur në muajin prill, ndërsa faza e radhës pritet të zhvillohet pas një jave. Fokus i këtij procesi janë zonat me praninë e ujërave të ndenjur anë qytetin e Shkodrës dhe plazhi i Velipojës, ku dezinsektimi për qëndrohet kundër larvave të mushkonjave.
“Këto zona i kemi trajtuar gjatë muajit prill-maj, kryesisht lagunën e Vilunit dhe disa nga pikat që ne i trajtojmë vazhdimisht”, u shpreh Eris Kaduku, Epidemiolog, DRSHKSH Shkodër.
Më gjithë ndërhyrjet e deritanishme në plazhin e Velipojës, prania e mushkonjave, veçanërisht në disa zona të caktuara, vijon të jetë shqetësuese për pushuesit.
Sipas specialistëve, kjo ndodh për shkak të vështirësisë së trajtimit të disa pjesëve të territorit, të cilat mund të përfshihen vetëm për mes ndërhyrjeve nga ajri.
“Në bashkëpunim edhe me operatorin ekonomik që po bën trajtimin, këtë vit apo edhe tjetrin do të fusim në përdorim dronët për vende të cilat nuk i aksesojmë dot”, tha Kaduku.
Procesi i dezinsektimit që po realizohet nga shërbimi epidemiologjik ka mbështetjen edhe të Bashkisë Shkodër, e cila ndihmon në identifikimin e zonave më problematike që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit.
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




