Dhoma e Përfaqësuesve, rezolutë ndaj Garland, Kryeprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së akuzohet për shpërfillje të Kongresit

Botë | 2 vite më parë

Me 216 vota pro dhe 207 kundër, dhoma e përfaqësuesve në kongresin amerikan ka votuar një rezolutë  sipas së cilës kryeprokurori i përgjithshëm Merrik Garland ka shpërfillur kongresin.  Arsye, Garland nuk ka pranuar të dorëzojë regjistrime zanore të intervistës të deponimit që presidenti Xho Bajden i ka dhënë departamentit të drejtësisë në lidhje me çështjen për mënyrën se si ai ka administruar dokumente të klasifikuara. 

Garland, që aktualisht është zyrtari më I lartë I zbatimit të ligjit në SHBA bëhet kështu i treti Kryeprokuror i Përgjithshëm në historinë amerikane që mbahet përgjegjës për shpërfillje të kongresit. Në rezolutë, e cila mori votat e të gjithë republikanëve, përveç njërit që u bashkua me qëndrimin e demokratëve, i rekomandon departamentit të drejtësisë të marrë një vendim për ta proceduar ose jo penalisht Garland.  Nën  ligjin federal, shpërfillja e kongresit dënohet me deri 1 vit burg dhe një gjobë prej 100 mijë dollarësh. 

Vetë Garland,  për miratimin e rezolutës ndaj tij tha se po kthente një autoritet të kongresit në armë partiake. Votimi nuk merr parasysh ndarjen kushtuese të pushteteve, nevojën e departamentit të drejtësisë për të mbrojtur hetimet e tij, si dhe sasinë e madhe të informacioneve që ndërkohë iu kemi dhënë komiteteve parlamentare, u shpreh kryeprokurori I përgjithshëm në një deklaratë.  

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme