Dhuna në shkolla, në vitin shkollor që sapo u mbyll, katër raste me viktima të plagosur

Sociale | 4 muaj më parë

Viti shkollor që u mbyll rezultoi me numër të lartë konfliktesh midis nxënësve në shkollat e vendit. 

Rastet më të rënda u shënuan në Kamëz, Durrës, Shkodër e Sarandë, ku nxënësit pas sherrit të nisur në mjediset e shkollave, përdorën armët e ftohta për t’u “sqaruar” pikërisht në dyert e godinave arsimore. 

Në muajin nëntor, në Durrës një 15-vjeçar u plagos me thikë në ambientet e shkollës dhe katër ditë më vonë ndërroi jetë. Një muaj më pas, në Sarandë, një 13-vjeçar u plagos po me thikë, ndërsa në Shkodër, pranë shkollës “Shejnaze Juka”, një përplasje mes adoleshentësh la dy të plagosur me mjete prerëse. 

Në mars të këtij viti, në Durrës, një konflikt mes nxënësve në një shkollë 9-vjeçare përfundoi me plagosjen e një të mituri me thikë. Po këtë muaj, në Shkodër, një grup adoleshentësh u përfshinë në një përplasje të dhunshme, me të plagosur. 

Sipas Policisë së Shtetit, në vitet 2023-2025 janë evidentuar 193 konflikte në shkolla dhe 285 raste janë parandaluar. 

Por, viti i ri shkollor që pritet të nisë në shtator, 20 godina arsimore në Tiranë do t’i gjejë nën monitorim me kamera sigurie përmes projektit smart-city. 

Fokus i monitorimit do të jetë siguria në shkolla, siguria rrugore, lufta kundër kriminalitetit që prek të miturit. 

Përveç kësaj, policia pritet të zbatojë në godinat e tjera arsimore Paketën e Sigurisë në Shkolla, ku synohet monitorimi i perimetrit të sigurisë, angazhimi i Patrullës së Përgjithshme, Policisë Rrugore dhe forcave “Shqiponja”, zhvillimi i vazhdueshëm i fushatave informuese me nxënësit mbi bullizmin, dhunën dhe përdorimin e rrjeteve sociale.

Po ashtu, ndalimi i tregtisë ambulante rreth shkollave dhe kontrolle për parandalimin e mbajtjes së armëve të ftohta apo lëndëve narkotike. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme