Dhunohet gazetari në Shkodër, policia identifikon të dyshuarin

Në qytetin e Shkodrës, një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme. Rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”, gazetari E. D. është sulmuar fizikisht me grushte nga disa persona të paidentifikuar plotësisht.
Gazetarja Merisa Gjoni raporton për RTSH në Shkodër se, menjëherë pas denoncimit të bërë në Komisariatin e Policisë Shkodër, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke kryer veprimet e para procedurale.
Njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi P. Gj., është identifikuar, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Nga ana e tij, në një prononcim për mediat, vetë gazetari i dhunuar, ka denoncuar autorin e dhunës, së bashku me disa persona të tjerë që ndodheshin me të.
Gazetari pretendon se ngjarja lidhet me një denoncim të bërë prej tij disa kohë më parë në mbështetje të një punonjëseje të marketit, e cila kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin e kompanisë.
Pas incidentit, gazetari ka bërë kallëzim në Policinë e Shkodrës dhe është shprehur se do ta ndjekë çështjen në rrugë institucionale.
Policia ka marrë dëshminë e gazetarit dhe po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për të sqaruar rrethanat dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




