Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë – Diplomohet brezi i parë i maturantëve, rastet e suksesit
Për herë të parë këtë vit, 18 maturantë të Institutit të Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, pas përfundimit me sukses të gjimnazit dhe të gjitha provimeve të Maturës Shtetërore, do të marrin në duart e tyre dëftesën e shkollës së mesme, duke u dhënë mundësinë atyre të punësohen diku ose të vijojnë studimet e larta.
Pamundësia e këtyre të rinjve për të dëgjuar, e më pas për të shprehur me zë nevojat dhe dëshirat, shpesh bëhet pengesë për të ndjekur ëndrrën për t’u arsimuar. Kleas i ka pëlqyer gjithmonë të pikturojë, por në përfundim të shkollës së mesme ka vendosur të mos zgjedhë pikturën, por të studiojë për gjuhën frënge dhe atë të shenjave.
“Gjatë provimeve të maturës u ndihmova nga interpretë të gjuhës së shenjave dhe i gjithë informacioni ishte i kuptueshëm. Unë kam vendosur të ndjek studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës për gjuhën frënge. Kam vendosur ta ndjek këtë degë pasi është posaçërisht për ne, duke na dhënë mundësinë për të dhënë një profesion si mësues”, shprehet Klea.
Algeni i ka përjetuar me shumë emocion këto provime të maturës. Edhe ai, ashtu si Klea, ka vendosur të aplikojë në të njëjtin program studimi.
“Ndihem shumë i lumtur që po përfundoj arsimin e mesëm. Kjo shkollë është kthyer në shtëpinë time dhe për herë të parë të gjithë personat që nuk dëgjojnë kanë të drejtën të ndjekin arsimin e mesëm. Pas përfundimit të arsimit të mesëm do të studioj për gjuhën frënge dhe kam dëshirë të mësoj gjuhën e shenjave në shqip, por edhe një gjuhë tjetër të huaj veç asaj angleze, duke krijuar me shumë mundësi punësimi”, thotë ai.
Drejtoresha e Institutit të Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Orjola Idrizi, i bën thirrje prindërve t’i regjistrojnë fëmijët me probleme në dëgjim në këtë institut e jo në shkolla të zakonshme, pasi aftësimi i dijeve këtu bëhet në gjuhën e shenjave.
“Më në fund ka një shkollë të personalizuar për ta dhe pasi mbarojnë ciklin 9-vjeçar mund të vazhdojnë arsimin e mesëm të lartë pranë mjediseve të qendrës burimore për nxënësit që nuk dëgjojnë,” thotë znj. Idrizi.
Beteja më e fortë për këta fëmijë, edhe pas përfundimit të shkollës së mesme, do të jetë përballja me tregun e punës. Do t’i mbetet shtetit të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme për të punësuar këta të rinj.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



